>
BIOSHQIP

(1986-2017)

Biografia
Adelajda Xhamani ishte një mësuese nga Kavaja. Ajo mësonte gjuhën dhe letërsinë dhe ishte tamam letërsia pasioni më i madh i saj. Ajo jetonte me familjen, por ata nuk e aprovuan kurrë kërkesën e saj për të hyrë në Big Brother në vitin 2009. Kjo i dha më shumë forcë asaj si konkurrente për të ecur përpara në këtë reality show. Ajo e konsideronte veten si kokëfortë, por të ëmbël, origjinale dhe të sinqertë. Përveç dëshirës së saj për të marrë pjesë në Big Brother, ajo gjithashtu dëshironte të luftonte mentalitetin e vështirë që ekzistonte në qytetin e saj. Adelajda ka deklaruar se hyri në në Big Brother për të fituar, por përfundimisht doli në vendin e dytë.

Në muzikë, Adelajda mbahet mend për pjesëmarrjen në Kënga Magjike 2010, në duet me Bjordin me baladën "Nuk Betohem Dot". Kënga mbante firmën e Pirro Çakos, me arranzhim nga Darko Dimitrov. Ajo gjithashtu ka qënë prezantuese e disa festivaleve shqiptare.

Me date 29 Tetor 2017, ajo është gjetur e vdekur në banesën e saj. Vdekja e Adelës ishte e beftë dhe tronditi jo vetëm ata që e njihnin, por edhe ata që e kishin parë përmes ekranit. Ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të mëngjesit dhe Adela kishte njoftuar dy miqtë e saj të ngushtë se nuk ndihej mirë. Pavarësisht faktit se ajo kishte telefonuar edhe ambulancën, kanë qenë miqtë e saj ata që e kanë gjetur të pajetë në korridorin e banesës, derën e së cilës ishte munduar me të gjitha forcat ta hapte vetë. Edhe pse duket se luftoi deri në pikën e fundit për të jetuar, gazetarja nuk mundi t’ia dilte.

Ka qenë një nga personazhet më të dashura për publikun, në kohën kur reality të tilla si Big Brother nuk ishin ato që janë sot. Adela Xhamani mbaroi studimet për Gjuhë Letërsi dhe pasi u bë pjesë e botës televizive, ndoqi pasionin e saj për letërsinë e shkrimin, duke u bërë pjesë e gazetarisë. Prej vitesh Adelajda punonte në shtypin rozë dhe mbante aktualisht postin e kryeredaktores në një revistë, ndërsa ishte shpesh e ftuar në studiot televizive për të folur rreth botës së showbizit. Kohet e fundit ka punuar edhe në kanalin televiziv News 24, por së fundmi ishte gazetare në FAX News.