>
BIOSHQIP

Adem Ramadani, Së Shpejti Sjell Videoklipin E Ri

21-05-2013
Kanë përfunduar xhirimet e videoklipit të ri të interpretuesit të këngëve fetare, Adem Ramadani. Është një projekt i ri, i cili do të sjell dhe risi në këtë stil të të kënduarit, duke marrë parasysh se në këngët fetare të Adem Ramadanit nuk përdoret asnjë instrument muzikor, përveç se zërit. Kënga, apo më mirë thënë ilahija siç edhe thuhet në popull, është një freski për të gjithë besimtarët, ndërsa promovimi pritet të bëhet në muajin Ramazan.

Videoklipi është punuar nga shtëpia filmike “Urban Graphics” nga Gjilani, e ku mjeshtër të montimit dhe xhirimit janë vëllezërit Ylli dhe Petrit Zeka. “Urban Graphics” deri më tani ka punuar me këngëtarët më eminent të estradës shqiptare dhe asaj ballkanike, ndërsa projekti me Adem Ramadanin ka qenë i pari i këtij lloji.

“Është kënaqësi për ne që kemi punuar me Adem Ramadanin, që moti kohë kemi pasur dëshirë që të punojmë një ilahi. Është diçka shumë ndryshe, ka qenë film në vete, ndërsa më e rëndësishmja se jemi lidhur edhe ne shpirtërisht me hyjnoren, duke marrë parasysh se është tekst fetar, e që na ka emocionuar edhe ne. Është punë më e lodhshme, se jemi munduar që mos të ketë asnjë gabim, i jemi përkushtuar shumë punës dhe besoj se do të jetë një befasi për të gjithë kur të shikojnë videoklipin”, ka thënë Ylli Zeka.

Adem Ramadani deri më tani ka numër të konsiderueshëm të albumeve me këngë fetare, ndërsa është ky videoklipi i radhës që e punon në mënyrë më profesionale.
“Pa dyshim se unë jam i kënaqur nga puna, mua shumë pak më është dashur të jem në videoklip, pasi që ne dëshirojmë të japim një mesazh, si me tekstin ashtu edhe me videoklipin. Unë ndjehem i kënaqur nga puna profesionale e grupit të “Urban Graphics” dhe aktorëve, Mentor Nuredini dhe Qazmedin Nuredini, si dhe i gjithë grupi që më ka përkrahë në organizim. E falënderoj edhe produksionin muzikor “Ximi” nga Ferizaj që ka bërë të mundur videoklipin, me të cilët kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm kohëve të fundit”, ka thënë për “Portalb”, Adem Ramadani.

Rolin kryesor në videoklip e luan aktori Mentor Nuredini, i cili gjithashtu ka shpalosur emocionet e tij në këtë projekt. “Ishte kënaqësi të punosh në një atmosferë shumë të këndshme. Kam përshtypjen se do të jetë diçka e veçantë edhe pse ende duhet pritur finalizimin e videoklipit. Është hera e parë që luajë në një këngë që ka tematikë fetare, pr mesazhi që jepet përmes ilahis, më ka bërë ta ndjej shumë rolin dhe shpresoj që mesazhi të arrijë deri te të gjithë”, është shprehur aktori Nuredini.

Vlen të përmendim se befasia më e madhe ka qenë roli i fëmijët, e të cilin e luajti Ilir Nuredini, djaloshi 7 vjeçar që ka mahnitur të pranishmit me mënyrën e interpretimit të rolit të tij, duke treguar se ai vjen nga familja e aktoreve Nuredini.

Xhirimet kanë zgjatur më shumë se 4 ditë, ndërsa promovimi i videoklipit pritet që të realizohet në muajin Ramazan, ku sigurisht paralajmërohet të ketë dhe një promovim të tij me një koncert fetar të Adem Ramadanit dhe miqve të tij. Nuk janë shpalosur më shumë detaje rreth videoklipit, duke dëshiruar që e gjithë kjo të rrumbullakësohet me një promovim, ku edhe aty do të ketë befasi të radhës.
(Portalb.Mk)

Adem Ramadani, Së Shpejti Sjell Videoklipin E Ri