>
LETERSISHQIP

Përtej Dy Botëve

Nëse një ditë toka do përmbyset
S'do jem aq trim sa për ta parë
Deti do thahet,qielli do ngryset
Do shkulen filizat mbjellura në arë.

Sapo të fillojë të tundet toka
Si djepe foshnjesh nëpër shtëpia
Do luten tempujve që njohu bota
Ti falë mëkatet kisha e xhamia.

Kur fundi botës të jetë shumë pranë
Do ngjitem lart,diku në mal
Me pendë në dorë do mësyj kalanë
Do bëj një tekst për festival.

Dhe kur koha të ndali hapin
Një tjetër kohë do më përpijë
Përmes vorbullës do vazhdoj vrapin
S'do ketë demon që t'më arrijë.

Do kem veshur kostum të bardhë
Kravatë të zezë me pak shkëlqim
Do më urojnë "Mirë se ke ardhë"
Kur midis ferrit të mbaj fjalim.

-"Më fal Shën Pjetër që flas pa rradhë"
Kam ardhë si mik,si futem sherrit
Shqip do flas nja dy-tri fjalë
Shqip ja bëj moralin ferrit.

Ju mëkatarë,ju shpirtra djaj
Ju që spiunuat njëri-tjetrin
Ju mosmirënjohës,vepër në faj
Kam përkthyes vetë Shën Pjetrin.

Por shumë prej tyre s'kishin nevojë
E flisnin shqipen si askush tjetër
Tash merr çekiçin edhe gjykojë
Se shumë kanë qenë gjyqtarë Shën Pjetër

Kur ç'më panë sytë sa ktheva kokën
I dhanë rryshfet dhe vetë Profetit
Ata që vodhën e zaptuan botën
Premtuan tokë midis Xhenetit.

"Zoti na faltë" lutemi për shpëtim
Në tempuj feje,xhami e kisha
Të dyja botët s'kishin ndryshim
Ferr për ferr,qesh' mirë ku isha.

Do i rikthehem tokës së përmbysur
Do këndoj tekstet që shkrova vetë
Edhe kur shpresat të më jenë ngrysur
Do kërkoj një botë të tretë.

19 Mars 2016