>
BIOSHQIP

(1854-1891)

Biografia
Artur Rembo, i konsideruar si mishërimi i poetit të mallkuar, lindi në Sharlevill, më 1854 në një familje tipike borgjeze (ku nuk e ndjeu ngrohtësinë e babait, që e kishte lënë familjen prej shumë kohësh, as dashurinë e nënës, të akullt dhe tirane). I edukuar në familje dhe në shkollë sipas skemave tradicionale, shkëlqeu për zhvillimin e jashtëzakonshëm intelektual, duke krijuar vargje qysh në moshën dhjetë vjeçare; kur ishte 16 vjeç ai i refuzon, papritmas, të gjitha skemat me të cilat ishte edukuar, u arratis disa herë nga shtëpia, filloi vagabondazhin e tij: përjetoi eksperienca të gjithfarëllojshme, përfshirë këtu edhe alkoolin, drogën dhe burgun. Refuzoi t'i rikthehej shkollës dhe, gjatë njërës prej arratisjeve të tij më të fundme, zë miqësi me Pol Vërlenin, miqësi që do të ishte vendimtare në stimulimin e kreativitetit të jashtëzakonshëm të poetit adoleshent. U përpoq t'i shkonte pas në Paris ku, me rënien e perandorisë së Napoleonit III, në pushtet ishte Komuna. Pikërisht më 1870 mori jetë edhe aventura letrare e këtij "endacaku" (që filloi të krijojë duke imituar Hugoin dhe parnesianët), një aventurë që zgjati plot pesë vjet. Pikërisht gjatë kësaj kohe ai shkroi të gjithë veprat e tij më të rëndësishme. Korri sukses të madh midis poetëve simbolistë të ambientit intelektual të Parisit. Por ky sukses do të ishte jetëshkurtër dhe shumë shpejt Rembo e pa veten të injoruar dhe shpërfillur. Më 1872 i dha fund "pushimeve" të tij pariziane dhe u rikthye në Sharlevill. Mirëpo as këtu nuk gjeti përkrahje dhe mirëkuptim. Gjithsesi, vazhdonte të frekuentohej me Vërlenin, të cilin e shoqëroi edhe në Londër e më pas në Bruksel, ku shkruajti një pjesë të "Ndriçimeve", si dhe "Një stinë e tmerrshme" (1873). Vërlen i dha fund lidhjes së tyre më 1873, duke i dhënë fund jetës me një plumb pistolete. Rembo braktis poezinë (pasi kishte asgjësuar sa kishte pasur nga gjithë sa kishte shkruar) dhe i jepet një jete të mbushur me aventura të ndryshme. Kjo jetë e sheh fillimisht mësues në Londër më 1874, doker në portin e marsejës më 1875, mercenar në Indinë holandeze dhe dezertor më 1876, pjestar të një trupe cirku më 1877, mjeshtër në Qipro më 1878. Së fundi, më 1880 stabilizohet si tregtar në Abisini. Gjatë kësaj periudhe, poeti tjetër, Vërleni, duke menduar se Rembo ka vdekur, publikon vëllimin e tij "Ndriçimet", më 1886. Më 1891, Rembo rikthehet në Francë për t'iu nënshtruar kurimeve mjeksore për një tumor në gju, për shkak të të cilit edhe vdiq disa vjet më vonë. Periudha e parë e adoleshencës mund të përmblidhet me tregimin e arratisjeve nga Sharlevill, rebelimet e tij, me varavingot e gjata dhe ekzaltuese nëpër fusha, me shkrime nga më dëshpërueset: nga librat e shkollës tek ato të udhëtimeve e deri tek librat e alkimisë dhe ato enigmatikë. Poezitë e shkruara në këtë periudhë janë në kërkim të një forme poetike; lëkundet midis imitimeve parnesiane dhe atyre të Viktor Hygosë. Vargjet e tij shprehin harenë dhe ekzaltimin e një udhëtari vetmitar, emocionet e para sentimentale, fuqinë e tij imagjinuese, ironinë therëse për jetën meskine të borgjezisë së Sharlevill-it. Rembo, poeti "vizionar", kërkon të rinovojë poezinë dhe, me zjarrin djaloshar, bëri një revolucion rrënjësor të të gjithë retorikës paraardhëse, duke hequr dorë deri edhe nga Baudelaire-duke vlerësuar çdo gjë sipas këndvështrimit të tij të ri artistik, e përderisa nuk i kishte mbetur më asnjë mjet që nuk ishte i fallsifikuar, nuk besoi tjetër veçse tek ndjesitë e tij. Shpiku kështu poezinë e ndjenjës, duke kthyer në poezi atë që mund të quhet gjendja psikologjike nga e cila lindin ato, pa asnjë ndërhyrje të jashtme. Mendimit origjinal i korrespondonte një gjuhë dhe një ritëm i njejtë që mvishte gjithçka: profume, tinguj dhe ngjyra. Rembo u gjend kësisoj në skajin më ekstrem të të gjitha rrymave letrare dhe poetike, skaj ku as simbolistët dhe as surrealistët mundën ta ndiqnin. Rembo nuk pati dishepuj dhe as imitues, pikërisht për këtë është konsideruar atëherë ashtu si edhe sot si pikënisja e çdo lloj rryme poetike.