>
LETERSISHQIP

Qiellit Të Fëmijërisë

Qiellit të fëmijërisë
kuçedra kulloste
tufën e reve

Nëna prore tirrte
shtëllungat e fantazisë
dhe zgjaste perin e rrëfimeve për te

Lëkundej vendit me ta zënë në gojë
pështyente anash në fund të rrëfimit:
-Pfu ! E hëngërt ujku të mallkuarën!

Unë stukesha në dhomë
sa herë e mallkuara gjuante
ushtat e vetëtimave

Mezi kam pritur Dragoin
të zbrazë mbi të
topin monstruoz të murmurimave!