>
BIOSHQIP

Elita 5: “Ne Nuk Jetojmë Si Yjet E Rokut Botëror”

28-11-2014
Është njëri ndër bendet më të kërkuara në trojet shqiptare. Janë këta rok-grupi Elita 5, të cilët nuk po kanë të ndaluar. Përveç lansimit të këngës ‘Meteor’ ky grup është duke menduar të punojë edhe në projekte të reja. Këtë gjë e ka konfirmuar kitaristi i Elitës, Valon Gashi, i cili ka folur edhe për shumëçka tjetër

Po mbushen pothuajse tri dekada prej që rok-bendi Elita 5 është pjesë e pandashme e skenës muzikore shqipe. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, ata i kanë kontribuar zhvillimit të këtij zhanri te ne me krijimin e shumë këngëve të cilat janë shndërruar në hite. Por, Elita 5 nuk mendon të ndalojë asnjëherë. Ata do t’i qëndrojnë besnik fansave të tyre duke u sjellë shumë këngë të reja. Së paku kështu për gazetën Tribuna ka deklaruar Valon Gashi, i cili është njëri ndër anëtarët e këtij grupi, i cili ndër tjera ka shpalosur edhe shumë detaje tjera.

Tribuna: Fillimisht a mund të na flisni rreth rrugëtimit tuaj në karrierë si rok-grup?
Gashi: Grupi ekziston që 28 vjet. Është e vërtetë se në këtë treg të vogël shqiptarë, sidomos me këtë stil muzikor jo komercial, është shumë e vështire që të mbijetosh. Por ne jemi së pari miq të mirë, e pastaj edhe ajo qenësorja që gjithmonë kemi tentuar që të mos bëhemi të tepërt për adhuruesit tanë, na ka mbajtur së bashku për kaq vite.

Tribuna: Albumi i ri “Mohikani i fundit” është suksesi i radhës i grupit Elita 5, çka do të thotë edhe një sukses për ju?
Gashi: Albumi i ri është rezultat i një pune të palodhshme 10-vjeçare. Pra, në këtë periudhë kemi punuar shumë e më shumë kujdes në këngët e albumit, ndaj edhe suksesi i albumit nuk mungoi, e suksesi për ne do të thotë një forcë shtytëse për punë të mëtutjeshme.

Tribuna: Pse keni kaq pak bashkëpunime me kolegët tjerë të estradës?
Gashi: Në çdo album e kemi pas nga një bashkëpunim me ndonjë këngëtare, vetëm me Adelinën, divën e muzikës tonë, kemi zgjedhur t’i kemi dy, sepse vërtet ia ka vlejtur. Në këtë album kemi bashkëpunim me Mimoza Shkodrën.

Tribuna: Çka i bën këngët tuaja që të jenë të pavdekshme?
Gashi: Ne punojmë shumë në krijimet tona. Ato paramendohen me kujdes, prandaj edhe zgjat më shumë krijimi i tyre. Por edhe kohëzgjatja e tyre është më e gjatë për shkak të kualitetit që e kanë.

Tribuna: Këngët e juaja a ka raste kur janë personale?
Gashi: Asnjëra nga këngët tona nuk ka temë nga jeta personale. Pra janë tema të përgjithësuara, pra mundohemi të jemi shërues kolektiv të zemrave.

Tribuna: Si ndiheni kur fansat këndojnë së bashku me ju këngët tuaja?
Gashi: Në mbrëmjet tona, pos fansave që na përcjellin që 28 vjet, gjithnjë e më shumë kemi fansa të rinj, pra të rinj e të reja 14/15 vjeç që i dinë këngët tona fjalë për fjalë dhe kjo na gëzon tej mase dhe na jep fuqi që të vazhdojmë më tej.

Tribuna: Pse nuk i preferoni festivalet ?
Gashi: Festivalet në trojet joshqiptare janë vende të përsosura për t’u promovuar artistët e rinj. Kurse te ne i shohim si evenimente jo fer, ku gjithmonë fitojnë kokat e vjetruara, prandaj edhe nuk i preferojmë.

Tribuna: Cili është mendimi juaj për rokun shqiptar?
Gashi: Fatkeqësisht, pavarësisht talentëve të shumtë që i hasim në rokun tonë, ata për një kohë shumë të shkurtë po shuhen. Ne mendojmë se ata nuk po mundohen mjaft, sepse edhe ne e kemi kaluar të njëjtën rrugë, ndoshta edhe më të vështirë, për të arritur këtu ku jemi. Pra, e kemi një porosi për ta, të punojnë sepse vetëm kështu do t’i ndihmojnë rokut shqiptar që ta tejkalojë krizën.

Tribuna: A arrini të gjeni kohë për familjen dhe a bëni jetë të rok-yjeve, apo jeni më tradicional?
Gashi: Vendi ku jetojmë na dikton që mos ta kemi jetën e rok-yjeve, pra të jemi tradicionalë dhe ta jetojmë një jetë solide. Muzikën e duam shumë, por e pazëvendësueshme edhe familja.
(Tribuna)

Elita 5: “Ne Nuk Jetojmë Si Yjet E Rokut Botëror”