>
LETERSISHQIP

Vjeshta

Gjethëza e vjeshtës vallzon me retë përqafuar.
Një tango ndjenjash të arta, të ngjyera me bojëra vjeshte e aromë pranvere në shpirt.
Shikime të ëmbla qiellore më dhuron, e unë me ëndje të kundroj...unë sytë nuk t'i ndaj,
gjethëz.
Melodinë ia dëgjoj. Këngën e heshtur ia ndjej.
Telat e kitarës të ç'akorduara, një piano e vjetër dhe një violinë cigane drejtojnë orkestrën
e ndjenjave sot.
Të mos ishte ky shi... me ty do të vallëzoja gjethëz... një vallëzim të qetë, me muzikën e
shpirtit, me nota të thyera nga era e egërsuar e kësaj nate.
E ndërkohë jam ulur e të shoh ty...tek përdridhesh e rrotullohesh e lirë në krahët e flladit
të buzëmbrëmjes. E lirë... e lirë... e gatshme të ngrihesh në fluturim, sapo era të të
rrëmbejë.
Pikla shiu të ngrohta faqeve më përkëdhelen e malli shall për fyti më është mbledhur, ndaj
ftohtin e kësaj nate vjeshtuke jo më nuk e ndjej.
Do vazhdoj e ulur në karrigen time, të të ndjek në vallzimin tënd.
Sot vjeshta ka ardhur me gjithë orkestrën e ndjenjave të më sjellë simfoninë e saj përpara
syve të mi.
Vjeshta do të luajë sot melodinë e saj për mua.
Sot vjeshta është e imja.