>
LETERSISHQIP

Kirenari

Ç'deshe ti, mor, në Kalvar,
0 qyqar, o Kirenar!
Del me poçen për sehir,
Ndrit me Kryqin si martir.

Rent nëpër kallaballëk,
Se ç'po ngjan s'merr vesh as gëk,
Je i pir' e s'mban dot anë
Për çlironjës a tiranë.

Nëpër pluhër dhe shamatë
Turren burrat, çirren gratë
Turm' e ndezur, e tërbuar,
Krishtin për të kryqësuar.

"Mir' e gjeti, the, sarafi,
Se ashtu ia desh qylafi,
Se po çvishte vegjëlinë
Me uzurën dhe vergjinë".

Po kur pe që u-gënjeve,
Kryqësimin s'e pëlqeve.
Kirenar, se ç'the një fjalë:
"Mos e vrisni këtë djalë!

Daleni, the, mor aman-ni,
Oratorin mos e ngani,
Si politikan flet n'erë.
Po s'e bën më tjatër herë!"

Fare bukur e fillove
Po më kot i këshillove,
Se katilët s'të sajdisnin,
Si pjanik të qesëndisnin.

Dhe kur pe këto havaze
Një dolli me verë zbraze
Për të mbytur mallëngjimin,
Për të shuar hidhërimin.

Po dollia të tronditi
Dhe mi Krishtin të vërviti,
Të tre Kryqet i përfshive
Dhe për-dhe të gjith'i shtrive.

Ç'ngjau pasandaj s'kuptove
Kryqin gjer sa e zaptove
Dhe si Krisht u-kapardise
Dhe në djers' u-batërdise.

Ç'vete shtrëmbër në Kalvar
0 qyqar, o Kirenar!
Se ç'përmbysesh, kamçikohesh,
Rrihesh, ngrihesh, çdehesh, zgjohesh.

Krishtin me habi pyet:
"Nga më krisi ky tërmet?
Pse pa faj po më mundojnë,
Kryqn' e huaj ç'm'a ngarkojnë?"

Krishti po të ngushëllon,
Dhe durim të këshillon:
"Mos kij dert, se u-bekove,
Me dolli lavdi fitove!

Mos kij dert, mor Kirenar,
Ta bën këngën një Shqiptar!"
"Po ku është Shqipëria?"
"Tek ndes vetë Perëndia!"

Bëj gajret, mor Kirenar,
Drejt përpjetë në Kalvar!
Për paradën që bën ti
Çdo besnik të ka zili.