>
LETERSISHQIP

Karakaftja

Bukuria jote bojalleshë në petalet e buta. Drita
amshuar ngjiz përmallimin hyjnor tek bruca,
buzët e mia ngjiten mes flatërzëve të tua si fruta.

Mos ik kaq shpejt lule ‘nostradamus’
ta them hapur të nëntën profeci, ç’është e vërteta,
nën ullinj paqen vajzat ende mbledhin,
mbi nurin që trupi yt lë duke u kallur nga jeta,
edhe pse sakrifica të tilla vërtetë dhembin,
ti paqshëm na mjalton si bleta.

Mos u tret duke kujtuar, se do të ikësh,
stinët vijnë shpejt sall e shtojnë dashurinë,
ti je vetë një risk zbritës,
për vetë jetën, paqen, rininë
dhe mitin tënd të pavdekshëm.

Dashuria ime nuk do të gjejë,
shtrat më të butë se njomëzkat e tua,
lulëzja ime e virgjër e rinisë,
ama unë jetoj e vdes mbi kërcellin tënd,
digjem i tëri në ty,
e hiri im është një ullishte,
kësisoj të mbaj thithkë në gji,
edhe pse nuk rritesh si simotrat në lulishte.

Sa herë që i kam prekur,
flatërzat e tua,
gjurmët më janë përjetësuar,
janë bërë mish e më janë bërë thua,
në trupin tim, si për të kujtuar,
puthjet që më fale mua.

Si një rrufe që e ka vjedhur zjarrin,
lëshohet trupi yt në duart e brishta,
dhe e grish jetëastarin,
duke i flakur rimat e ofshamave të ndrydhura,
disa vasha kanë emra lulesh,
në shpirtin tënd radhë hyn poezia,
por ti nuk tundesh, që nuk tundesh,
nga misioni që të ka dhënë Perëndia.

Jam strukur në flatërzat e tua. Karakaftja
e rinisë sime të pakgjindshme,
përgjoj botën me bisht të syrit,
në ndjekje të gjurmëve të mia të ndihshme,
të mbetura në nokturnin e kthimit,
si shkelje të dhimbshme,
nga këmbët e ndotura të tjetrit.