>
LETERSISHQIP

Re(F)ren

Ne argatët e reve
Reve u doli nami,
se sy s’patën kurrë ndonjëherë,
por s’luajnë nga istikami,
kur duan me të përmjerë...

1.
Një ushtri kaloçe resh, dhjetëra pëllëmbë në qiell,
kalifer pas basorelievit të shkrepëtimës,
u shfaq mes nesh, në ditën me diell,
në qasjen e fundit ku kurrë s’ka vend për yjet,
pozoi me hiçin gri të universit.

Ti u bëre imazhi i stinës së ndëshkuar nga rufetë,
në sytë e tu u pikturua errësira,
sovajkë e një spatulle të ngjyer që shket
fjalëve thumba të fryra nga kotësira
dhe flashtjet ngucën dhe paralajmëruan fraq,
kujdes: pozon natyra!

Ç’do të ishte një pozë pa grimin e duhur,
flashtin që ndizet për ta shkrepur në errësirë,
bëje çmos të ishim pranë njëri-tjetrit,
derisa u shkrep aparati dhe fiksoi në fytyrë,
duke mos besuar se e ç’bëmë një pozë,
mënyra se si ngjizeshe për të mos thënë kishe ngrirë,
i kthente përmbys të gjitha dijet praktike,
zjarri ynë ndizej më shpejt se rufetë,
absurdi i një ushtrie didaktike,
një pozë vetëtimash në diell.

2.

Edhe ti pozoje keq,
më trazoje flokët dhe gjithë këtë univers,
ku përthyhen ëndërrat që nuk mbahen mend,
nën forcën e arratisë së syve në këtë mes,
fiksohej shpresa që të jemi gjatë së bashku,
sytë e tu aparate të heshtur,
ngase të gjitha pozat janë si kalku.

Sidoqoftë edhe ti pozoje keq,
ngase zjarri ndizej për të djegur retë,
mendimet e tua të fshehura i shpërndau si thërrime,
shiu që ra vetvetiu,
mbi pozën tonë si gjethe dafine,
ajo ushtri resh pozoi dhe ngriu.

3.

Shkruaju me re reve, o njeri
shkruani një re, ju re të tendosura, për veten
butësisht në fytyrën tuaj të fryrë,
dhe sillni ato shpirtra që treten,
deri në të gdhirë.

Shkruani një re sa pa u shtrydhur,
shkruaju me re ditën e mbetur,
valëve zanore të detit të dehur,
shkruani sa të mundni dhe retë,
që mbajnë fatin tuaj të fshehur.

Shkruani sa të mundni për retë,
por jo të shkruani si me re,
është koha të kuptoni dhe vetë,
e shkruara e bukur do nge.

4

Nëse unë gjysëmmbyll sytë e mi
retë bëhen vizion i hapësirës
ngadalë më gllabëron nata
më pushton mbretëria e errësirës.

Ndaj rri syhapur përherë,
nga e hëna tek e diela,
i sigurtë në udhëtimin tim
si anija me vela.

5.

Në mitin e një kulture
retë janë binjakë të shpirtrave,
në timen dhe tënden moj mike,
retë janë falanga frike.

Në kohën e reve,
mësojmë mesazhe shtrëngate,
në kohën tonë moj mike,
ne rishkruajmë fate.

Nga koha e reve,
presim shirra dhe bubullima,
kjo kohë s’na intereson neve,
se na merret fryma.

Në ditët tona pos reve,
fluturojmë shpesh të dy moj mike,
se mburrjet janë një lloj leve,
që të shpien matanë Afrike.

6.

Reve u doli nami,
se sy s’patën kurrë ndonjëherë,
por s’luajnë nga istikami,
kur duan me të përmjerë...

7.

Dhe e nisëm ditën mbarë,
të mbjedhim re anembanë.

Ku është fundi,
mike, duhet të ketë diçka të dukshme para fundit,
sa më shumë që e risjellim mes nesh,
aq më lart ngrihet mes resh,
duhet të ketë diçka të dukshme,
para të padukshmes,
ku është fundi, mikja ime,
ku jemi ne, ne argatët e reve,
që na përpijnë pa u ndier,
sa më pak që e trazojmë fjalën, aq më shumë,
mbjellim re mes nesh edhe në ditët me diell.