>
LETERSISHQIP

Ajri I Qytetit Tim ‘ilegal’?

Tërkuzesh ajri i qytetit tim para syve,
një rrugëtim damareve të përthara,
ajri im.
Të kanë parë të përpëlitesh e s’po merr dot forcë,
për fluturimet e pastra.
Je shqepur edhe nga gjilpërat e diellit,
po ta kall trupin saçi i errët,
lart duhet të frymosh i lirë ajri i qytetit tim,
e të ndjehemi bashkë,
të lehtë e të shëndoshë,
se frymëmarrja na është bërë blozë,
nëpër damarët tona të ngjyera gjithësoj deri rozë.
Ndjej se je i lodhur mjaft ajri i qytetit tim,
ke bërë gargara mbi kryet e oxhaqeve kineze,
ke qenë i ngarkuar mjaft me kokriza asimetrike,
nga aparaturat e vjetëruara sovjetike,
je mbushur në trup plot truke,
nga goditjet e çekanave turke.
Dikur ke qenë i pastër si Burimi i Bankës,
kristal si Uji i Bushekut,
por tashmë nga ajo kohë e largët,
ka mbetur vetëm malli si lloj i yrnekut,
e të gjithë duket sikur s’duan të të rrijnë më pranë,
po shuhen si loti në ranë.
Sidoqoftë je ajri i qytetit tim, edhe pse të merren pip
këmbët dhe mendtë,
pranë më ke me shpirt, oksigjeni i jetës.
Ku të shkoj pa ty, ajri i qytetit tim,
a s’mund të flakësh peshqirrëxhinjtë...
Ti u shtrove sofrën të gjithëve me oksigjen,
e u dhe frymë të këndojnë me forcën e shpirtit,
këngët që kudo morrën dhenë,
këngët e pavdekshme të Myzyrit dhe Bodinit.
Por ti kam shpresë prapë se do hysh i pari në Europë,
edhe pse këto ditë mbeta pa fjalë,
kur zyrtarët të quajtën ‘ajri më i ndotë’,
ajri i qytetit tim, të piketuan ‘ilegal’!