>
LETERSISHQIP

Dhembje Pa Thinja

Tërë jetën e lume
vetëm një emër kam thirrur,
fjalën e shenjtëruar prej gjakut.
NËNË në të gjitha kohët,
në të gjitha stinët.
NËNË në bahçe,
në lëndinën e lotëve,
NËNË në bukë e kripë,
në një mal, në një saraj.
Edhe sa herë shkoj te varri i saj.
pa pritur zakonet e përvjetorëve,
në atë lëndinë me kocka njerëzish,
me emrin “nënë” thith ajrin aty,
flas me nënën njëlloj,
si kam folur tërë jetën.
Mes mijëra fijesh bari,
gjej pak dhe që pret gishtat e mi.
E shpupurit, pastaj e rrafshoj me pëllëmbë,
si dikur moti,
kur kruaja shpinën e saj,
sa herë ndërronte hëna.
Çdo grimcë e dheut paska pritur lotin tim,
të ujitet që të mbijë bar,
përjetësia e saj e blertë,
as gjysmën e rrugës pa e bërë,
në jetën lidhur me zinxhirë.