>
BIOSHQIP

(1566-1622)

Biografia
Pjetër Budi (1566-1622) - prift, shkrimtar shqiptar nga Gur i Bardhë, Shqipëri.

Pjetër Budi është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të pupullit tonë. Për jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht që i dërgoi më 1621 një kardinali të quajtur Gocadin. Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit. Në këtë letër Budi pas hyrjes bën edhe një autobiografi të shkurtër, nëpërmjet së cilës mësojmë dicka të sigurt për jetën e tij.

Pjetër Budi lindi në Guri i Bardhë, Mat, nga një familje e dëgjuar dhe e vjetër. Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkevet të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587 u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe me vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Në një letër të shkruar në shqip ai ankohet për varfërinë dhe misdijeninë e popullit dhe shpreh keqardhjen e tij që këtu nuk ekzistojnë shkolla shqipe. Më pas vendoset në Romë. Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës. Ai këmbëngulte që ceremonitë fetare të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cenonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t'i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim. Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj. Në dhjetor 1622 mbytet duke kaluar lumin Drin. Mendohet se vdekja e tij nuk ishte aksidentale; ; atë e shkaktuan qarqet anti shqiptare, që shikonin tek Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj. Këtë e vërteton më së miri aktakuza me të cilën hidhet në gjyq personi që thuhet se e shkaktoi këtë vdekje dhe aktet e gjyqit përkatës. Në këtë mënyrë Budi është një nga martirët e parë të kulturës shqiptare. Gjatë 29 vjetëve që shërbeu në vise të ndryshme, i veshur me petkun e klerikut, Pjetër Budi u shqua edhe për një veprimtari të dendur atdhetare. Ai gjithë jetën dhe energjitë e tij ia kushtoi çlirimit të vendit. Hartoi plane për dëbimin e pushtuesit dhe u përpoq të siguronte edhe ndihma nga Vatikani e nga vende të tjera. Ai bënte pjesë në atë shtresë të klerikëve, që u lidhën me krerët e fiseve shqiptare dhe iu kundërvunë jo vetëm sundimit të egër osman, por edhe Vatikanit, kur ishte fjala për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Çlirimin dhe shpëtimin e vendit Budi, e shikonte te fshatarësia e lirë, sidomos te malësorët, të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtimin dhe e vazhduan me ngulm qëndresën e tyre. [3]
Proza e Budit dëshmon jo vetëm për idetë përparimtare, por edhe për aftësitë e tij letrare. Edhe pse në të ndihet ndikimi i literaturës kishtare latine, ai është munduar t'i japë gjuhës shqipe një shprehje e formë të bukur, duke shfrytëzuar pasurinë e gjuhës popullore dhe frazeologjinë e saj të pasur. Faqe me rëndësi në krijimtarinë e Budit përbëjnë vjershat e tij. Para tij njohim vetëm një vjershë të shkurtër me 8 vargje, të shkruajtur nga arbëreshi Lekë Matrënga, kurse Budi na ka lënë 23 vjersha me mbi 2.300 vargje, prandaj me të drejtë ai mund të quhet nismëtari i parë i vjershërimit shqip. Vjershat e Budit kryesisht janë të përshtatura nga latinishtja e italishtja, vetëm pak janë origjinale. Është e vërtetë se në hartimin e tyre nuk kemi një frymëzim e teknikë të lartë, por vihet re një përpjekje serioze për ta pasuruar gjuhën shqipe edhe me krijime që synojnë të shprehin në vargje të bukurën në artin e fjalës shqipe. Në njërën prej tyre, në formën e një pyetje retorike, poeti shpreh ndjenjën e trishtimit dhe të kotësisë që e pushton kur mendon se të gjithë njerëzit i rrëmben vdekja.Vepra e tij e cila ka shumë rëndësi si letraro-artistike dhe gjuhësore u bë e njohur relativisht vone. Për herë të parë ajo u botua në Prishtinë në vitin 1986. Në Shqipëri, poezia e Pjetër Budit u bë e njohur nga botimi i studiuesit Behar Gjoka në vitin 2002. Për jetën, veprimtarinë, dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Pas afro katër shekujsh, libri i tij i tretë “Pasqyra e të rrëfyemit” të cilin e botoi në Romë, një vit para se të vdiste në moshën 55 vjeçare, zbulon në faqen e katërt të tij një gravurë ku poeti prift jepet në një moment lutjeje. Gravura është një punim mjaft fin dhe gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë brenda "Pasqyrës së të rrëfyemit", menjëherë pasi mbaron parathënia. Me datë 21 nëntor 2006, me rastin e 440-vjetorit të lindjes së Pjetër Budit, në Tiranë u organizua një sesion shkencor në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë sesion folën akademik Shaban Demiraj, akademik Rexhep Ismaili, Prof.Dr. Kolec Topalli, Prof.Dr. Floresha Dado, Prof.Dr. Beqir Meta, Prof.Dr. Seit Mancaku, studiuesi Behar Gjoka, etj.