>
LETERSISHQIP

Poezia, Një Shok Udhe

I

Eja muzë e ngadhënjimit të artit
fletë e çdo dite, muaji dhe viti
kjo kohë më bën të vet-digjem
me bashkudhëtaren time, poezinë

Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur

Në shpirtin vullkanor të poezisë
bërë i kam betejat e secilit varg
në jetën biologjike të këtij libri
je nënëmadhja e arbërimit tonë

Shqipëri, unë e ti jemi një gjak
që nga pellazgët e lashtë e Iliria
tokat tona qenë shesh i luftërave
dhe arenë gjaku e perandorive

Kosovë, kryengritëse e këngës
stërmbesë e dardanëve të Trojës
në trup ende ke plagë të gjakut
nga fqinjët që tokat na i grabitën

II

Liri, bëje dorën grusht, mos u jep
me emrin tënd u rritëm betejave
për ty dashurova mes plumbave
për ty i rashë grusht dallgëthyesve

Nuk ka paqe për lumin me vaj
nuk ka paqe për lumin e ndarë, me
pikën e gjakut i këndoj bashkimit
liri, këngës dua t´i shkojë në fund

Hënë është dhe pjesa që s´ndritë
diell është dhe nata që e jetojmë
me pellazgët jemi njëgjakësh
shqiptarët kudo janë një vëlla

Atdhe, hapi arkivat e dhimbjes
në pasqyrë i shoh armiqtë e mi
kjo botë qenka vërtet me përrallë
Shqipëri ka vetëm në gjuhën time

Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
arti i çlirimit nuk njeh kufij
në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..