>
LETERSISHQIP

Udha E Shkronjave

Pesha të rënda ngarkuar mbi kalë,
Morën rrugën drejt viseve shqiptare.
Brezave me radhë dituri për t'i falë,
Në çdo shtëpi të ndizeshin si pishtare.

Ato kaluan male e dete,
Për të ngjallur shpresat e rinisë.
Breza të tërë do të bënin për vete,
Me to do shkruhej himni i dashurisë.

U bënë gurë themeli në jetë,
Dhe filluan ta frymëzonin çdo njeri.
Gjuhën shqipe flisnin edhe vetë,
Vlera e tyre më e madhe se flori.

Dituria do përhapet si rreze dielli,
Do hapen shkolla një nga një.
Me lavdi do mbushej edhe qielli,
Shkronjat shqip do te nxirrnin zë.