>
LETERSISHQIP

Vrraga E Kurbetit

Vallë, kurbetin kush e zbuloi?!
Kush qe ai, që i pari shkoi?
Ai që shkoi n`kurbet i pari -
Pa dyshim ishte shqiptari!

Të shpërndarë npër krejt botën,
Loti i tyre e njomi tokën,
Nuk ka vend që s`ka shqiptarë,
Zemra e tyre n`dysh është ndarë`...

Ky kurbeti i mallkuar,
Nëpër shekuj na ka robëruar,
Brez pas brezi e kem trashëguar,
Nuk ka shenja për ta ndaluar!

Ndahesh nga prindërit e moshuar,
Në shtëpi mbesin të vetmuar,
Ndahesh prej vëllait dhe prej motrës,
Për të shkuar në skaj të botës!...

E hidhur është jeta e kurbetit,
Larg prej gëzimit dhe lezetit!...
Nuk i thonë kot "mërgim",
Shumë i ngjajshëm me burgim!

Me aeroplan, apo traget,
Herë nën qiell, herë mbi det,
Qoftë me tren, apo vetura,
Me fëmijë t`vegjël gra e burra!...

Rrugëve t`gjata me timon në dorë,
Herë nëpër shi, herë nëpër borë,
Qoftë dimër, apo verë,
Vështirsitë i kanë përherë!...

Nëpër autostrada, apo magjistrale,
Aksidente katastrofale,
Tragjeditë kanë ndodhë shumë herë,
I merr gjumi, bijnë n`humnerë!...

I merr gjumi mbi timon,
Humbin jetën për gjithmonë!
Shumë kurbetçarë, rrugve vdesin,
Rrugve t`Europës eshtrat u mbesin!...

Prindërit e ngratë i presin n`oborr,
Telefonin e mbajnë në dorë,
N`arkivole djemt u vijnë,
Ata të shkretit nuk e dinë!

Nëpër kufij presin shumë,
Janë të lodhur. janë pa gjumë,
Të tilla janë vuajtjet e shqiptarve,
Që u përkasin mërgimtarve!...

Sa herë vijnë edhe shkojnë,
Si rrëke lotët u shkojnë,
Qoft mallkuar ky kurbet,
Që kombit tonë, vrragë i mbet?!

Prindërve n`shtëpi nuk u hyhet,
U shkojnë djemtë më larg se yjet,
I fshijnë lotët prej fytyre,
Por, jo, dhimbjet e zemrave tyre!...

Kur n`kurbet shkonë rinia,
Në qytet mbretëron qetësia,
Kur këthehen mërgimtarët,
Mbesin të zbrazët trotuarët!...

Numri nxënsve është zvogluar,
Arsimtarët shumë të dëshpruar!
Mbulon pluhuri bankat shkollore,
Për Atdheun është vrragë prore!...

Historinë e kombit tonë,
N`dhe t`huaj, nuk e mësonë,
Gjuha shqipe bastardohet,
Ajo shumë shpejt do t`harrohet!

Traditat tona kombëtare,
Dalë nga dalë do t`zhduken fare,
S`mun t`i shpëtojmë asimilimit,
Si duket ai, do t`ia arrijë qëllimit!...

Shumë të rinj, kur dashurojnë,
Prindërve t`vet nuk u tregojnë,
Nuk e dinë se kanë gabuar,
Me të huaj, që janë martuar!

Vëllezër e motra mërgimtarë,
Mos t`harrojmë që jem shqiptarë,
Siç kemi lindë, ashtu të mbesim,
Deri ditën kur të vdesim!