>
LETERSISHQIP

Shko!...

Shko!...
Tek ata që ëndrra për t’i kapur të mundon,
Tek gjithë ata që has në jetë dhe i preferon,
Tek gjërat që me lehtësi i kap e s’i lëshon.


Shko!...
Zër aty problemet lehtë të përvetësuar,
Të njohur, të vegjël, të thjeshtë, të zbukuruar.
Aty, ku nuk kërkohet energji për të shpenzuar.


E atëher’ do të më kujtosh,
Atëher’ kur shtrëngatat do të të godasin,
Kur orët e vështira pafund për ty do të zgjasin,
Kur para vetes do jenë ngritur male, do buçasin.


E do të më gjykosh,
Aty, ku përsëri hapat e tua do ndalojnë,
Aty, ku shumë të tjerë më tutje nuk guxojnë
Dhe mbeten prapa, larg dhe kurrë s’afrojnë.







Shko!...
Drejt heshtjes së gënjeshtërt, asaj që preferon,
Asaj që mban atë pak gjë së cilës i beson:
Dashurisë së kollajtë që ti me ngulm po e kërkon.


E përsëri do të më kërkosh,
Kur do të marrë flakë i tërë shpirti yt,
Kur do të shteren të gjitha forcat mu në grykë
E kur nuk do të gjesh kurrë një përqafim të dytë.


Atëher’ përsëri e përsëri do të më kërkosh,
Kur do të luhet jeta jote, për jetë a vdekje
Kur të huaj do bëheshin të tutë, në çdo përndjekje,
E vogël do të ishe ti mes hiçit, e kurrë lirinë s’do t’prekje.