>
BIOSHQIP

Viola: “Nuk Do Ndahem Kurrë Nga Kënga”

02-03-2014
Viola Syla një pjesëtare e denjë e skenës muzikore, mbase përkushtimi i madh ndaj këngës ka bërë që ajo të arrijë suksese. Por, këngëtarja asnjëherë nuk del të jetë e kënaqur me arritjet, ajo gjithmonë është në përpjekje për të arritur edhe më shumë. Edhe pse disa herë kanë dalë zëra në opinion që Viola nuk po arrin sukses, mbase është thënë se e ka braktisur edhe këngën, mirëpo një gjë e tillë mohohet kategorikisht nga këngëtarja. Ajo do të vazhdojë të sjellë edhe shumë projekte të reja për adhuruesit e saj dhe asnjëherë nuk do të ndahet nga kënga. Në intervistën dhënë “Zërit” Viola flet më shumë për projektet muzikore dhe planet për të ardhmen.

Çfarë po punon aktualisht Viola?

Aktualisht jam shumë e zënë me mbrëmje të ndryshme, kam një orar mjaft të ngjeshur, por megjithëkëtë paralel jam duke punuar me projektet dhe risitë që do t’i sjellë për adhuruesit e mi për verën 2014.

Do të thotë kjo se i ke përmbushur të gjitha synimet në këngë?

Deri më tani jam mjaft e kënaqur me arritjet e mia, por jam një person që kurrë nuk ngopem me arritjet apo rezultatet e krijuara. Gjithmonë kërkoj shumë më shumë nga vetja.

Jo gjithnjë punët të kanë shkuar mirë?

Sipas eksperiencës në jetën sime natyrisht se askujt në çfarëdo fushe, qoftë të karrierës nuk i shkojnë gjithmonë punët mirë, nganjëherë kemi një stop apo një pauzë për të marrë energji, apo për ta freskuar trurin, e pastaj për t’u nisur rrugës përpjetë për qëllimin që kemi për të korrur suksese të reja. Në fakt prioritet numër një është shëndeti dhe familja, kështu që ndodh që e zgjidhni ndonjë periudhë apo festë që të kaloj kohë më shumë me familje dhe në këtë rast ndoshta spekulohet se nuk po më shkon puna mirë. Por jo nga kënga nuk do të ndahem asnjëherë.

Po të mos ishte kënga me çfarë do të merreshe?

Pyetje shumë e vështirë, për arsye se nuk e shoh dhe as nuk e njoh veten pa këngën dhe muzikën, pra që nuk jam njeri i plotë pa këngën dhe këtë e them me gjithë zemër. Por mund të them që kam të kryer shkollimin për menaxhere dhe kam eksperiencë në këtë drejtim dhe krahas këngës punoj nganjëherë për të mos më munguar edhe kjo punë. Më pëlqen shumë edhe psikologjia dhe në njëfarë mënyre të gjitha këto lidhen rreth komunikimit me njerëz, sepse unë vetë jam një njeri shumë komunikues, e lirë dhe që dua të peshoj me dy këmbët në tokë.

Sa është komerciale kënga juaj?

Këngët e mia kërkohen kudo, si në koncerte, mbrëmje muzikore apo evente të ndryshme gazmore. Unë mundohem të kultivoj këngën për të gjitha shtresat shoqërore dhe besoj se ia arrij. Prandaj këngët e mia në të shumtën e rasteve janë edhe komerciale për faktin se janë shumë kërkuese në tregun muzikor.

Je mjaft aktive nëpër dasma, është Viola e shtrenjtë për të goditur një dasmë?

E vërtetë që jam aktive nëpër dasma apo ahengje të ndryshme, kërkimi për të qenë në këto ahengje është jashtëzakonisht i lartë dhe shfrytëzoj rastin t’i përshëndes dhe falënderoj të gjithë ata që më kanë zgjedhur dhe vazhdojnë të më zgjedhin mua të jem në gëzimin e tyre familjar. E sa i përket vlerës apo marrëveshjes për një dasmë, për mua vlera më e madhe që ekziston është që të ndahen të kënaqur dasmorët, të jetë një dasmë me plotë atmosferë, të mbetet një ditë e paharruar për të gjithë. Çmimi është i njëjtë për të gjithë, ka ndodhur të kem pasur datën e zënë dhe më kanë ofruar çmim mjaft të lartë vetëm për të pranuar ofertën, por asnjëherë nuk kam pranuar, nuk e lejoj veten që të na udhëheq paraja, preferoj që ne ta udhëheqim paranë.

Ju ka ndodhur të këndoni falas në ndonjë aheng të tillë?

Jo, nuk më ka ndodhur në gëzime familjare, përveç në organizime humanitare që asnjëherë nuk ngurroj për të shkuar.

Do të ketë ndonjë klip gjatë këtij viti?

Kam menduar të punoj diçka në këtë drejtim, por për momentin dua të mbetet surprizë.

Po ndonjë duet keni menduar?

Po, kam menduar edhe për këtë çështje, por edhe kjo dua të mbetet surprizë.

Çfarë pret në të ardhmen?

Projektet të cilat kam në plan për t’i realizuar gjatë këtij viti, shpresoj të më pëlqehen nga adhuruesit e mi.
(Zëri)

Viola: “Nuk Do Ndahem Kurrë Nga Kënga”