>
LETERSISHQIP

Anës Gjakut Qan Ajkuna

(Elegji e thinjur)

Pranë Ajkunës mjeron gjaku,
anës gjakut qan Ajkuna.
Qaj, moj qyqe, bar mos mbijë,
vdekjes vetë t’i dridhet buza.
Qaji të tërë me radhë
të rënet përmbys a në brinjë,
me kokat e prera, syshuar,
kthyer nga qielli i hirtë.
Qaj ata që s’kishin nëna
qaj ata që kishin motra;
qaj ata që s’i sheh hëna,
s’u flet deti, s’i njeh kodra
Skajeve të vajit tënd
zunë korbat e krrokasin;
klithmat e tua, moj loke
lisat e malit luhatin.
Kur të vdesësh ti, moj korbë
pak nga pak siç vdes një lumë
kush do të të qajë mbi kokë?
Veten vetë qaje, Ajkunë
Ç’flas kështu? Mos më piu nata
Mjaft zezove, moj e mjerë.
Prije kujën. Mblidh fishekët,
shko në shtrat lind djem të tjerë