>
BIOSHQIP

2Po2, Një Bashkëpunim Me Unikkatilin

05-05-2013
Një prej reperëve më të mirë shqiptar në histori, 2po2, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur për suksesin e tij të fundit në bashkëpunim me Elvana Gjatën dhe për planet e të ardhmes. Ai po ashtu zbuloi edhe detaje sensacionale për bashkëpunimet e radhës. 2po2 së fundmi goditi gjithë skenën muzikore shqiptare me Elvana Gjatën dhe hitin e tyre “Beso”, ndërsa, Besniku thotë se ai është i kënaqur me suksesin. “Jam i kënaqur me suksesin, e kam pritur, por suksesi nuk është i garantuar asnjëherë”, theksoi ai. I pyetur për idenë e videoklipit që po konsiderohet nga shumë si më i miri prej shumë kohësh, Besniku thotë se është një realizim i suksesshëm i përbashkët. “Ideja ishte e imja si bazë, por pastaj u konkretizua nga ThreeDots në bashkëpunim me Authentic Entertainment dhe Max Production. Inspirimi ishte thjesht nga njerëzit që na rrethojnë. Temat sociale si kjo më kanë inspiruar gjatë gjithë karrierës time dhe më kënaqin jashtëzakonisht shumë sukseset e projekteve të tilla, ku prapa gjithçkaje fshihet një mesazh pozitiv”. Për projektet e të ardhmes 2po2 nuk ka zbuluar detaje të shumta, por ka dhënë indikacionin më të fuqishëm për kohën e publikimit të tyre. “Në kompaninë tonë Authentic Entertainment po punohet fuqishëm kohëve të fundit. Projekti i fundit ishte ai i Capital T me Alban Skënderaj që arriti sukses të menjëhershëm. Të njëjtën kohë ne po përfundojmë albumin tim dhe albumin e Capital T. Do të godas sërish me këngë të re dhe me videoklip në ditët në vijim. Pra, me një fjalë ne po punojmë gjatë gjithë javës në studio e në fundjavë jemi në koncerte pa u ndalur”, u shpreh ai. Telegrafi duke parë interesimin e jashtëzakonshëm të fansave të Unikkatilit për më të rejat nga ai dhe duke parë se informacionet për të janë të pakta, ka shfrytëzuar mundësinë për të pyetur një mik dhe bashkëpunëtor të tij të kahmotshëm si 2po2. Ishte 2po2 ai që bashkëpunoi në albumin e fundit me Viktorin për këngën “Fitore e Sinqertë” dhe Besniku zbulon në mënyrë sensacionale se vazhdon të bashkëpunojë me Unikkatilin. “Gjithmonë kam qenë në kontakt me Viktorin dhe tani kontaktojmë shumë shpesh. Natyrisht edhe bashkëpunimet nuk do të mungojnë në të ardhmen”, ka përfunduar Besniku.
(Telegrafi)

2Po2, Një Bashkëpunim Me Unikkatilin