>
BIOSHQIP

2po2: “Pas Pak Ditësh Kënga Me Besën”

16-12-2013
Filloi rrugëtimin në skenën muzikore bashkë me shokun e tij Arbenin. E ndonëse ky i fundit u shkëput nga të bërit muzikë, artisti Besnik Canolli vazhdoi rrugën me këngë, duke marrë me vete bashkë me sukseset e dikurshme emrin me të cilin identifikohet më së miri 2po2. Që nga ajo kohë, Canolli ka vazhduar me një intensitet të fortë në muzikë, që më pas bindshëm e bëri njërin ndër artistët që ka bërë histori në rep skenën tonë. Besnik Canolli apo ‘2po2’ siç është i njohur në publik, ndonëse në secilin projekt mundohet ta paraqes realitetin, i tillë u tregua edhe në bisedë me gazetën Tribuna. Ai gjatë rrëfimit të tij ka shpalosur shumëçka rreth angazhimeve, risive e jetës së tij private...

Tribuna: Besnik, cilat janë angazhimet aktuale për ju?
Besniku: Një këngë të re veç e kam të përfunduar. Është në bashkëpunim me Besa Kokëdhimën. Është një këngë shumë e bukur, shumë artistike, shumë më ndryshe nga këngët që i kam sjellë deri tani. Kjo këngë do të vijë në publik me videoklip gjatë muajit dhjetor. Pastaj në janar do të vijë edhe me një videoklip tjetër. E angazhimet tjera momentale janë të përcaktuara në koncerte të ndryshme çdo vikend nëpër diasporë.

Tribuna: Si ju lindi ideja për një bashkëpunim me Besa Kokëdhimën?
Besniku: Oferta më ka ardhur në fillim nga Besa. Ajo ka shprehur dëshirën të ketë një bashkëpunim me mua. Pastaj unë jam angazhuar maksimalisht si në çdo bashkëpunim. E kam bërë idenë e këngës, tekstin. Ndërsa instrumentalin e ka bërë Darko Dimitrov, kompozitori nga Maqedonia.

Tribuna: Çfarë stili do të ketë kjo këngë duke marrë parasysh që ju dy kultivoni zhanre të ndryshme muzikore?
Besniku: Do të jetë një këngë shumë ndryshe. Nuk është ndonjë këngë e komplikuar. Është një temë e dashurisë, por, për një dashuri pak më të pjekur do të thosha, jo siç jemi mësuar të dëgjojmë tekste klishe ku e gjejnë veten moshat e reja. Kjo është një këngë më e pjekur dhe me këtë po mendojmë ta prekim publikun pak më të rritur.

Tribuna: Përveç bashkëpunimit me Besën, a keni në plan edhe ndonjë bashkëpunim tjetër?
Besniku: Në vitin e ardhshëm do të ketë shumë këngë të reja. Do të ketë shumë befasi e shumë bashkëpunime. Nuk kisha dashur t’i zbuloj të gjitha. Do ta përmend një bashkëpunim që do ta kem me Capital T, pasi që ka një kohë që kemi pauzuar bashkë. Do të ketë edhe projekte tjera të reja të cilat do t’i lë befasi për publikun.

Tribuna: A do të ketë në bashkëpunimet tuaja edhe ndonjë këngë me këngëtarë të zhanrit tallava?
Besniku: Jo valla! Nuk e preferoj të bëj bashkëpunime me këngëtarë të zhanrit ‘tallava’. Unë e kam bërë një parodi kënga ‘Qaj’ me ‘Capital T’. Kjo ka qenë një parodi e kësaj përzierje që po ndodhë në skenën tonë. Dëshiroj të bashkëpunoj me artist të mirëfilltë. Nëse i shikoni edhe bashkëpunimet e mia në të kaluarën gjithmonë kanë qenë me artistë të zgjedhur. Njëzet vjet karrierë nuk më duket e arsyeshme të dal nga vetja për pak sukses. Nuk e kam ndërmend.

Tribuna: Ndër këngët që janë pëlqyer shumë këtë vit, është edhe kënga juaj ‘Kam ra n’dashni”, këngë kjo që i kushtohet parasë. Na trego a i do ‘2po2’ të hollat ashtu siç i këndon?
Besniku: Në këngët e mia jam munduar të jem sa më real dhe e kam parë të rrugës që t’ia shpreh dashurinë figurativisht edhe parave. Nuk jam vetëm unë... të gjithë i duam parat.

Tribuna: Në këtë këngë a e keni karakterizuar vetëm veten apo ndoshta realitetin që po e jetojmë sot?
Besniku: Unë prej natyrës nuk jam tip që e favorizoj paranë para shumë vlerave tjera që i kemi në jetë. Kush më njeh e din që është kështu. Kjo më shumë ka qenë figurativisht të tregoj se si po funksionon jo vetëm vendi ynë, por edhe bota është e pasionuar pas të mirave materiale. Kjo ka qenë më shumë ideja e këngës. Po në të njëjtën kohë kam dashur të jem sa më real dhe e kam futur veten në personazh dhe kam tregu atë që e ndjej edhe unë vet pak a shumë.

Të gjithë i duam paratë

Tribuna: Kohë më parë keni qenë bashkë me Arbenin në grup. Çka është më ndryshe tan që jeni vetëm?
Besniku: Nga viti 2006 unë punoj vetëm pa Arbenin. Ai për arsye personale është tërheq nga muzika. Janë dy periudha shumë të kundërta, sepse në kohën kur kam punuar me Arbenin kam qenë shumë më i fokusuar në familje, kam qenë i ri dhe në fillimet e mia. Në atë kohë kam filluar gjithçka nga zero dhe i kam dhënë më shumë prioritet punëve të tjera se muzikës. Muzikën e kam pasur më shumë dashuri se sa profesion edhe pse edhe në atë kohë kam krijuar shumë edhe kam lëshu albume, por nuk kam qenë aktiv në skenë me videoklipe e as në koncerte. Kam qenë më shumë ‘undergraund’. Ndërsa nga viti 2006 ia kam bërë hyzmetin më shumë dhe normal që edhe suksesi ka qenë më i madh. Por, pa atë periudhën me Arbenin suksesi im nuk kishte me qenë i njëjti. I vetmi dallim është që tani i jam përkushtuar punës më shumë se në atë kohë.

Tribuna: A mund të jetohet tek ne nga fitimet që sjell muzika?
Besniku: Mundet të jetoj. Tani varet se ka lloj-lloj shpenzime në jetë e lloj-lloj mënyra të jetës. Por, janë një pjesë e artistëve që kanë qenë më të suksesshëm dhe ma merr mendja që munden të nxirren edhe vetëm me muzikë. Janë një pjesë që kanë të ardhura të konsiderueshme se tashmë nuk është asgjë e fshehtë. Po dihen pak a shumë edhe çmimet nëpër koncerte dhe të ardhurat digjitale që po i ofron ‘Youtub’-i.

Tribuna: Jetoni mes Francës dhe Kosovës. Sa është e vështirë kjo për juve?
Besniku: Jetoj me familjen në Francë. Edhe pse është e vështirë, kemi filluar pak të adaptohemi. E dimë përafërsisht që çdo vikend jam ose në aeroplan apo rrugëve nëpër autostradë. Kam filluar të bëhem imun.
(Nita Brisku)

2po2: “Pas Pak Ditësh Kënga Me Besën”