>
BIOSHQIP

Adelina Berisha: Pasqyra E Një Këngëtari është Albumi

23-03-2012
Këngëtarja e re Adelina Berisha, në një bisedë për Express, ka thënë se po përgatitet për një album dhe për një video që do ta lansojë së shpejti. Këngëtarja ka thënë po ashtu se nuk ka dëshirë të flasë shumë për jetën private.

Adelina Berisha nuk ndalet. Këngëtarja në një bisedë për Express, ka thënë se është në përgatitje të një këngë të re, të cilës pritet që së shpejti t'ia realizojë edhe videon.

Kënga është një këngë ritmike dhe e ka realizuar Stine.

Por, Adelina thotë se do të realizojë edhe balada.

"Edhe kjo këngë do të jetë një këngë ritmike, por vetëm kësaj radhe. Gjithmonë kompozitorët më kanë ofruar këngë ritmike, por e kam në plan të realizojë edhe një baladë", ka thënë Berisha.

Adelina po ashtu ka thënë se që nga fillimi i këtij viti është vazhdimisht e ftuar për të kënduar nëpër qytete të ndryshme nëpër Kosovë dhe do të vazhdojë me një ritëm edhe gjatë muajve në vijim.

"Jam, të themi, në një turne nëpër Kosovë. Kam filluar moti, qysh pas videos ‘Ti je ai', ku jam ftuar për të kënduar nëpër vende të ndryshme. Në maj do të jem në SHBA për të mbajtur po ashtu edhe disa koncerte".

Këngëtarja është duke bërë përgatitjen për albumin e saj të ri dhe thotë se ai do të dalë shumë shpejt në dritë.

"Po, shumë shpejt do ta editoj albumin sepse mendoj se është një pasqyrë e punës së një këngëtari. Mendoj se ia vlen që gjithsecili këngëtar ta ketë një album, pavarësisht se kemi shpërndarje të madhe të këngëve në internet. Albumi është një dokument për një këngëtar", thotë Berisha.

Albumi pritet që të ketë nëntë këngë, ndërkaq këngëtarja thotë se disa këngë do të jenë të vjetra e disa të reja. Kurse kur pyetet për jetën private, Adelina thotë se është e lumtur më të, por që nuk dëshiron të flasë për jetën private sepse "dëshiron ta mbajë për vete".

"Jam e lumtur me jetën që kam. Thashethemet po më mërzisin, por nuk i marr edhe shumë parasysh sepse nuk janë të vërteta", ka thënë në fund ajo.
(Express)

Adelina Berisha: Pasqyra E Një Këngëtari është Albumi