>
BIOSHQIP

Adelina Emini, Vjen Hiti I Radhës “Ai Moment”

12-07-2013
Pas suksesit të madh që pati me këngën “Në përvjetor”, e cila është një baladë e shkëlqyer, Adelina Emini këto ditë do të sjellë për publikun edhe një hit tjetër të madh të titulluar “Ai moment”.



“Kosova Sot”: Na flisni diçka për projektin e ri, të cilin sapo e keni përfunduar?

Adelina: Kënga titullohet “Ai moment” dhe është një këngë ritmike, që besoj se do të pëlqehet nga të gjithë, sepse ka një histori shumë interesante të dashurisë. Këngën e ka punuar Darko Dimitrov, i cili ka bërë një punë shumë të mirë që të dalë kënga sa më mirë.

“Kosova Sot”: Jeni duke ia bërë edhe videoklipin kësaj kënge?

Adelina: Videoklipi është incizuar dhe ende është duke u punuar që të dalë sa më i mirë. Punën për videklipin ia kam besuar produksionit “Entermedia”, të cilët njihen si mjeshtër të mëdhenj në bërjen e videoklipeve muzikore.

“Kosova Sot”: Kënga ka një titull shumë interesant “Ai moment”?

Adelina: E vërtetë, sepse të gjithë ndalen në një kohë dhe thonë “Ai moment” dhe duke nisur nga një përvojë e tillë edhe këngën e kam emëruar në këtë stil. E gjithë kënga i kushtohet dashurisë dhe për lexuesit tuaj po i shpalosi disa vargje të këngës”: Ai moment, moment i paharruar, ai moment kur jemi dashuruar, ai moment kur të parën herë, i thua me një fjalë, të dua, të dua të dua”.

“Kosova Sot”: Duket si shumë këngëtarë, edhe ju këtë verë keni mjaft angazhime?

Adelina: Sigurisht, më 4 korrik mora pjesë në koncertin kushtuar Festës së SHBA-së, ku këndova këngën e re dhe gjatë gjithë verës do të kem angazhime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj me koncerte dhe mbrëmje të shumta.

“Kosova Sot”: Keni në plan këtë vit të merrni pjesë në ndonjë festival?

Adelina: Ende nuk kam vendosur asgjë, sepse është pak herët. Dëshirojë që njëherë të kënaqen simpatizantët e mi me këngën “Ai moment”, më pas do të vlerësoj ngadalë nëse do të marr pjesë në ndonjë festival sivjet.
(B.Zyberi)

Adelina Emini, Vjen Hiti I Radhës “Ai Moment”