>
BIOSHQIP

Adelina Emini: Kënga Ushqen Shpirtin Tim

13-11-2013
Adelina Emini cilësohet si njëra nga këngëtaret e përkushtuara në profesion. Mirëpo jo gjithmonë këngën ajo e quan profesion, sepse sapo ka nisur doktoratën në fushën e ekonomisë në të cilën drejtim edhe punon për disa vjet me radhë.

“Kënga është qetësim i shpirtit tim dhe pa këngë nuk mund të jetoj. U bënë disa vjet që jam me këngën dhe e konsideroj si pasionin tim më të çmuar i cili ushqen shpirtin tim. Ndërkaq jashtë këngës tani e disa vjet unë merrem edhe me punën e menaxhimit në RTK.

Kam përfunduar masterin dhe tani kam nisur doktoratën në fushën e ekonomisë. Unë kam investuar bukur shumë në profesionin e ekonomistes dhe primare për mua është puna që bëjë në këtë fushë. Mirëpo prapë e them se pa këngë nuk mundem”, shprehet ajo për “Zëri”.

Si duket Adelina ka gjetur kohën për t’u marrë njëkohësisht me dy profesione, por nuk e mohon faktin se sikurse kënga ashtu edhe puna në RTK i merr bukur shumë kohë.

“Kënga dhe ekonomia të dyja ndihmojnë njëra tjetrën. Madje do të thosha që janë dhe kombinim perfekt. Unë mundohem që paralelisht të punoj në të dy drejtimet si në këngë ashtu edhe në fushën e ekonomisë dhe të them të drejtën sikurse kënga ashtu edhe puna në RTK po më merr shumë kohë”, shton ajo.

Adelina tani planifikon të nisë punën në projektet e reja të cilat do të jenë pjesë e programeve të festave të fundvitit. Ajo do të jetë pjesë e programeve argëtuese të televizioneve tona, ku nuk do të mungojnë këngët e reja të cilat do t’i realizoj pikërisht për këto programe. “Tashmë nisin angazhimet e shumta për përgatitjen e programeve të festave të fundvitit.

Në këto programe do të paraqitem me projekte të reja” shprehet në fund ajo.
(K.B/Zëri)

Adelina Emini: Kënga Ushqen Shpirtin Tim