>
BIOSHQIP

Adelina Emini: “Ngritja Profesionale Për Mua Zë Vendin E Parë”

30-06-2014
Edhe pse ka arritur që përmes këngës të radhitet ndër emrat më të pëlqyer të skenës sonë, këngëtarja Adelina Emini nuk kënaqet me kaq. Ajo përveç se është diplomuar dhe ka magjistruar në degën e Marketingut, i është përveshur studimeve për doktoraturë, synim ky që edhe vetë këngëtarja tregon se në këtë nivel të studimeve kërkon kohë, angazhim e përkushtim maksimal.

“Përveç punës së përditshme të cilën e bëj me shumë kënaqësi në fushën e marketingut në RTK, po ashtu në këtë periudhë jam shumë e angazhuar dhe me ligjërata, e punime të cilat më duhet t’i punoj për studime të doktoratës. Ngritja profesionale për mua zë vendin e parë, e sigurisht që të merr shumë kohë e energji, andaj edhe i jam përkushtuar maksimalisht, shpresoj që do t’ia dal mbarë ashtu siç ia kam vënë synim vetes”, ka thënë këngëtarja në fillim të bisedës.

Ndërkaq edhe pse e përkushtuar në studime e krahas kësaj edhe në punën e saj në Televizionin e Kosovës, Adelina tregon se as publikun e saj nuk e lë pas dore, ajo madje tashmë ka filluar të punoj edhe në këngën e saj të re. “Jam duke punuar në këngën time të re. Do të jetë një këngë ritmike e cila besoj që së shpejti do të jetë në duart e publikut tim”, ka treguar tutje këngëtarja, duke mos zbuluar më shumë rreth projektit të ri. ‘Meqë jam ende në proces të punës, nuk po zbuloj më shumë rreth këngës. Mund të tregoj vetëm që kënga do të jetë e plotësuar edhe me videoklip, ndërsa për detaje tjera do ju tregoj kur të vijë koha”.

Kohën e lirë mundohem ta ndajë me publikun tim
Ndryshe sa i përket bashkëpunimeve, këngëtarja simpatike ka thënë që njëherë për njëherë nuk ka ndonjë në plan, këtë sezon atë do ta shohim solo. “Nuk kam në plan tani për tani të vijë me ndonjë bashkëpunim. Do të jem vetëm me projekte solo. Në të ardhmen të shohim nëse është ndonjë këngë që ia vlen të punohet në bashkëpunim, atëherë pse jo”, ka theksuar tutje ajo. E përveç kësaj Adelina ka treguar se karshi angazhimeve të shumta, ajo mundohet të gjej kohë edhe që të jetë pranë publikut, të paktën gjatë vikendeve.

“Po mundohem që atë pak kohë të lirë që e kam të jem pranë publikut tim nëpër mbrëmje të ndryshme muzikore, po mundohem që të paktën gjatë vikendeve të jem pranë tyre”, ka thënë këngëtarja e cila për fund ka theksuar se nuk është e lehtë t’i dalësh në fund të gjitha këtyre angazhimeve. Sipas saj sfidat e ndryshme janë ato që njeriun e bëjnë të fortë në jetë e po ashtu vullneti e puna e pandalshme për t’i arritur synimet që ia ke vënë vetes.
(Nita Brisku)

Adelina Emini: “Ngritja Profesionale Për Mua Zë Vendin E Parë”