>
LETERSISHQIP

Poemë Për Vaçe Zelën

Po bie
Një shi i Bardhë e i kristaltë bie
Mbi zërin e Vaçe Zelës
Ca tinguj elegjie po zgjohen
Në këtë natë me një serenatë
Diku në Lashtësinë e Prizrenit
Sonte vajton një gërnetë

Pikojnë si lotët e qiellit
Pikojnë gjethet e një muzike
Mbi një varr prej lotësh dënes
Një këngë
Me tinguj të rrëqethur

Po fishken zambakët e Prizrenit
Në cilën lagje hapeshin qepenat
Kur nga radioja e vjetër
Dëgjohej zëri i Shqipërisë

Dje këndonte Vaçja
Ajo dhe sot këndon me një kitarë
Të vetmuar
Me zërin madhështor të korit Hyjnor
Këndojnë yjet “Shqipëri o nëna ime”

Kush tha se vdiq kënga
Ajo jeton në çdo shtëpi shqiptare
Një perëndeshë e muzikës
E cila deri në vdekje nuk abdikoi

Të zbresim deri në fund të notave
Edhe pak këngë ka mbetur
Në arkivolin e kujtesës
Edhe pak
Të dëgjojmë timbrin drithërues
Të Vaçe Zelës

2.

Si nga një tjetër botë
Më vjen një këngë lahute
Mbase ajo
Akoma këndon këngën e Shqipërisë
“Shqipëri o nëna ime”
Pse ja more zërin e bilbilit
Kush do këndoj pas Vaçes

Janë lëshuar deri në tokë
Degët e pjeshkës
Qershia dënes me ngashërim
Kush do vij pas teje
Moj bijë e shqipes

Malli im
Sonte ka nevojë për një këngë
Kam lot trishtimi
Nga zëri i nëntokës vjen një jehonë
Vaçja si një sirenë deti
Mbi këto kreshta këndon

3.

Si zëri i erës
Sonte galopojnë vegimet
Kalërojnë kuajt e ujit
Nëpër sipërfaqet e pentagramit
Si nëpër vegime
Kalërojnë notat e këngës së paharruar
“Shqipëri o nëna ime”

Një zë si zëri i Hyjit
Mbi kreshta qëndron
Mbi daullet e kushtrimit
Një nuse
Si ato zana malesh
Me mallëngjim këndon

Kjo është zëri i Vaçes
Që zbret nga lartësitë
Këndon edhe era
Një këngë me lahutë
Nëpër sheshe
Zgjohen shpirtrat e engjëjve
Një bilbil në ograja
Ka heshtur në një skutë

4.

Vaçe moj
Nusja më e bukur e Kosovës
Këndomë edhe njëherë
Ndonjë këngë me mallëngjime
Mos harro
Por të gjithëve na pëlqen
Ajo e shpirtit
“Shqipëri o nëna ime”

Sonte dua të qaj
Të dënesi si guri i atdheut
Por loti i burrit është kënga
Këtë e kemi mësuar
Që nga koha e Skënderbeut
Vaçe moj nuse
E bukura e dheut

O ju lutem
Mos i ngacmoni tingujt e natës
Sa bukur dëgjohet kjo serenatë
Po vajton shpirti i gërnetës
Me lot ngashërimi
Po dënes edhe kjo natë

5.

Vaçe moj
Nusja e maleve tona
Krenare
Kush do i përqafoj pas teje
Telat e gjall të kitarës

Unë kam mbetur pa zë
Mbi dunën e shpirtit tim
Po vajton një zog i trishtuar
Po vajton
Tok me një kukuvajkën

Të lutem
Këndoma edhe sonte
Këngën e atdheut tim
Por pa ngashërime
Këndoje edhe njëherë
Të lutem këngën
“Shqipëri o nëna ime”

Këndoje me zërin e atdheut
Le të vijnë në përcjellje
Zanat e Alpeve
Ndoshta mund të zgjohet nga gjumi
Vetë Gjergji Elez alia

6.

Sonte kemi nevojë
Për hingëllimën e gjokut të bardhë
Të përgjëroj
Këndona edhe njëherë
Këngët e maleve tona

Zgjoji nga legjenda
Trimat e çartur
Sa shumë kemi nevojë
Ta dëgjojmë këngën
“Shqipëri o nëna ime”

7

Si sot më kujtohet
Kur e mbuloja kokën
Nën një plaf të dhirtë
Dhe në një radio dore
I dëgjoja këngët e tua

Fshihesha pas ëndrrave të mia
Vetëm një vijë uji na ndante
Që mos t’i dëgjojmë lirshëm
Këngët e tua me kënaqësi
Por i dëgjoja fshehur
Si një hajdut

Unë këndej vijës së ujit
Zëri yt andej përroit
I kallte malet

Me sy të lëmekur
I shikoja gjethe e verdha
Këndonin edhe ato këngën
“Shqipëri o nëna ime”
8.

Sërish vjen një zë
Dhe si freskia e gjetheve
Ledhaton
Lëkurin e zeshktë të erës

Nga degët e vjeshtës
Fluturojnë
Si nëpër përralla dykrenorët
Fluturojnë nëpër kreshte malesh
Zërat e një vajze
Thonë se ishte zëri i Vaçe Zelës

Këndonte edhe era
As lumi i përgjumur nuk e ndalte këngën
Mbi notat e pentagramit
Si një engjëll drite
Zgjohej zëri i fjetur i Vaçes
9.

Edhe pas ikjes
Unë jetoj me zërin tënd
Sa herë që kam qenë i vetmuar
Në celularin tim
I dëgjoja tingujt për atdheun tim

O të lutem
Këndoma edhe njëqind herë
Atë këngë të bukur shqipe
“Shqipëri o nëna ime”

Këndoma të lutem
Sonte kjo natë e gjatë e shkurtit
Do jetoj vetëm këngët e tua
Që qojnë njeriun nga qivuri
10.

Ti ishe e vetmja
Dhe s’patë dot të dytë
Sot me 06 shkurt 2014
Të gjitha ëndrrat
Në shpirtin tim i ke mbytë