>
BIOSHQIP

Shqipëria Eliminohet Nga Eurosongu

16-05-2013
Kënga “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko nuk ka arritur që të kualifikojë Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovision Song Contest që po mbahet në Malmo të Suedisë. Nata e dytë gjysmëfinale e Eurosongut u mbajt në një atmosferë të jashtëzakonshme në Malmo të Suedisë, ku të pranishëm në impiant ishin edhe shumë bashkëatdhetarë tanë të cilët i dhanë përkrahje ekipit shqiptar.



Shqipëria në këtë mbrëmje performoi e 14-ta, ku Bledar Sejko dhe Adrian Lulgjuraj performuan këngën e zhanrit rock, “Identitet”. Përkundër performancës mjaft inspiruese të tyre, Adriani dhe Bledari nuk arritën që të grumbullojnë numrin e mjaftueshëm të votave nga evropianët dhe juria për t’u kualifikuar në finalen e madhe të së shtunës. Në finale pas gjysmëfinales së dytë janë kualifikuar Hungaria, Azerbaixhani, Gjeorgjia, Romania, Norvegjia, Armenia, Islanda, Finlanda, Malta dhe Greqia.



Kështu, përpos Greqisë dhe Rumanisë, të gjitha vendet tjera pas dy netëve gjysmëfinale kanë dështuar që të kualifikohen në finalen e të shtunës, duke e bërë Eurosongun e këtij viti një debakël për muzikën ballkanike. Vitin e kaluar ishte Rona Nishliu ajo që zuri vendin e pestë dhe që shënoi suksesin më të madh në histori të kësaj gare për Shqipërinë, por këtë vit ndryshoi sistemi dhe kështu Shqipëria përkundër suksesit patjetër është dashur që të përballet në gjysmëfinale me mundësinë e eliminimit e cila edhe ndodhi.
(Telegrafi)

Shqipëria Eliminohet Nga Eurosongu