>
LETERSISHQIP

U Privatizua Vargu!

Hej milet!
Dallkaukë,letrarë, bejtexhinj dhe poet
Mblidhuni tek Sheshi i Poezisë!
Erdhi momenti I shumëpritur
Privatizohen vargjet, vjerrshat, poezitë
poemat, balladat e vlerat e Letërsisë,merrini
Antologjitë Letrare ku janë e ku nuk janë
fillojmë nga ato të shkruarat në pergamenë
nga autorë me emra të lashtë Taukrik, Taulant
Vraufrik, Hespant,Iprisht, Ibrisht
Ecni ndër shekuj tek poetët me mbiemra
justinianë dhe bizantinë Zarisht, Bogdan,
Ylenec, Jeronim,ndaluni tek arbëreshët e Moresë
Gavril, Derad, Pal, Muzak, apo Golem
Blini Fishtën, shisni Koliqin,
një Mjéd ndrrohet me dy Migjen!
Mblidhuni të gjithë me lajmërimin tem!
Do ndrrohet Naimi, Chajupi,Prenushi dhe Shantoja
Me poezi shkruar nga Mao Y dhe Go Mo Zhoja(!)
Mblidhuni pra mos humbisni rastin!
Sot hapet Tenderi i Privatizimit Epokal!
Tek Sheshi I Poezisë
Shisni Ismail Kadarenë dhe blini poetin Fekal!
Ka dalë nga gjiri i popullit!
Gjyshi i tij ka qenë Këshilltar në Hekal!
Bile dhe kryetar fronti...kryeçoban i dhisë!
Rapsod i orëve të para, që me porosi të partisë..
diskretitoj puçistat në gjirin e ushtrisë..
Nxitoni se vargjet po mbarohen!
Poemat shiten, blihen, privatizohen!
Kurvat e Poezisë krihen, zbukurohen
gëzohen,
pasurohen!
Në bordellet e vargut të thyer...
Mos humbisni rastin!
Poezinë kombëtare për ta këmbyer.
Nesër do privatizojmë Historinë!
Do këmbejmë Korçën e Gjirokastrën
të bëjmë Vorio Epirinë!
Mos humbisni rastin!
Sot privatizojmë Poezinë!
Nesër Historinë,
Gjeografinë, emrat e mbiemrat!..etj.etj.
Nesër!...
Nesër ama!..pastaj?..
Pastaj na mbetet të privatizojmë Atdheun!
Dreqi le ta haj!
Jepen falas Eposi i Kreshnikëve
Legjenda e Murimit!
Është rinovuar koncepti për Atdheun!
Tani kemi Bashkimin Europian
Atje mund të futemi pa Skënderbeun(!)
Gjin Bue Shpatën, Kont Uranin
Adem Jasharin, Zahirin, se vallah na lodhën.
Privatizojmë fushat dhe malet e mandej
privatizojmë Kosovën!!!
(Oj medet!)
Si dikur Plavë e Guci..
Shkodrën e bëjmë Zonë të Lirë
(pa dalje në det..)
ndoshta e lemë të shkoj me Mal të Zi.
Hej milet!
Mblidhuni tek Sheshi i Poezisë!
Privatizohet vargu atdhetarë!
Shitet me shumicë!
Mblidhini kursimet tuaja shqiptarë!
Ejani dhe bleni vargjet me rimë, pa rimë.
Se Antologia do muroset si Rozafa
dhe jashtë do ti lëmë vetëm një sisë...
Ka ardhur Koha e Mbrapshtë
Të pijmë qumësht të konservuar nga punishtet e Greqisë
Mblidhuni të gjithë në Sheshin e Poezisë!