A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Tema: Poezi Për Shqipërinë

Shqipëria

1.(në orën e gjeografisë)
Kërkonim Shqipërinë mbi globin –
“ja, ja…kjo pika te kjo vija”!..
I vinim gishtin…e mbulonim…
(e shtrenjta jonë Shqipëria!

Një pikë në glob…po ç’né, ku janë
kaq male, pyje e zabele!
Sa pak i vinë meridianë,
sa pak i shkojnë paralele!

Na ngopej syri në dritare,
na pikej syri përmbi glob.
Si s’je, moj Shqipëri më e madhe,
dhe dridhnim globin prapë si top.

E shtetet fqinjë mbi glob nxitojnë
ende më tej t’u vejë kufia.
Ne, sytë veç te “pika” jonë,
mos humbte fare Shqipëria.

2.(në orën e historisë).
Vjen “historia”, dalin trimat,
na nxirnin ballin gjyshërit tanë.
Sa paralelet shtrirë martinat,
Sa meridiani jataganët.

Qëllo në mbrojtje e s’u lodh
kjo “pikë” e viseve të mia,
e kurrë qerpiku nuk iu drodh
kur thirrte “ndihmë!” Shqipëria.

Dhe historia flakë mori,
vargmale luftrash ngado rriti.
Kjo “pikë” vallë, nga i nxori,
ky vënd i vogël si i ngriti!

Vërtitet globi, toka, detet…
Unë sytë aty, te vatra – nëna.
Atdheu im gjëkundi s’vete,
e as të huaj nuk lë brënda.

- poezi nga Agim Shehu


Nuk ka akoma asnjë votë






Kjo faqe përdor cookies vetëm për reklama dhe statistika. Kjo faqe nuk mbledh, nuk përdor dhe nuk shpërndan të dhënat tuaja. Kompanitë e palëve të treta që përdorin cookies janë: Google, Taboola dhe MGID.
Më shumë info  
teksteshqip.com © 2007 - 2019