>
LETERSISHQIP

...Dhe Feniksi Përsëri Fluturoi

“Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë po të biem,
ne duhet të ngrihemi përsëri!”
Dhe u sulën mbi Feniksin e urtë
tufanët, korbat, uria
E rrahën, e kapën, e molisën
dhe mortja përmbi i qëndroi,
po ai prapë fluturoi.
Dhe i ranë Feniksit të gjorë
me gurë, me plumb, me zjarr
dhe qafën ia vunë në litar.
As “of ”, as “lele”, as “lot”;
Të vërtetën nuk e vritnin dot!
Dhe e ndollën Feniksin zemërbardhë
me bukë, me gjellë “perëndie”,
S’i preku, s’i erdhën për shije,
i flaku të gjitha, për besë,
veç kores së njomur me djersë.
Dhe e shpunë Feniksin martir
në zjarr. – Të digjet – thanë. – Të humbasë!
Po hiri i tij e përvëloi
Dhe vazhdën e ndritur la pas.
Feniksi përsëri fluturoi.