>
LETERSISHQIP

Marku

I
Çelësa e shula cingëritën për ibret.
Dera e dhomës hapet me rropamë
Tërmegshëm dyzet burra çohen n'kambë.
Hyn kapteri. Ngërdheshet. Shtyn nji skelet

Që shkapetet mu n'çimento, si i vdekun.
Nga turpi, ulin kryet, dyzet burra.
Supi lakuriq i dahet nga lëkura
Mishi-i verenikun, si mëlçi e pjekun

Koka: Golle e gunga e feje, gati
Për t'u këputë. Trishtim. Dhimbë. Mëshirë
Ngjall. Akuzë. Revoltë mishnon, i ngrati!

Kapteri del. Përtueshëm çohet Frati
I hullet: Nga vjen, si të quejnë, mor bir?
"Prej Tirane... Më thonë Mark Sakati.

II
As shtrojë, as mbulojë, as lugë, as tas...
Nji grumbull kockash ishte shtue n'kaush.
Lugë e tas, dha murgu Athanas,
Gjovalini - nji velenxë pa push.

Njeri pa njeri - Izeti prej Çamërie
Nji jastëk sajoi me rrecka t'shtatit.
Dhoma shpaloi gjeste bamirësie:
Diçka, për sevap, i dha "malukatit"

Paloka, i plagosun në Gomsiqe
Nxori prej jatakut, e tërhoqi branë
Me zor, tue u kollitë, nji postiqe.

Gjithçka u dha, çka ishte për t'u dhanë
Mandej, të lodhun, u shtriqën mënjanë...
Dikush, morriste, zellshëm, tartabiqe...

III
Sheh trembshëm Marku. Sytë s'i bajnë dritë.
Veshët i punojnë disi ma mirë.
Ankth janë ditët. Si nji ditë, përditë.
Buzqesh me mllef... Duket si satir...

Dergj natë e ditë. Nuk do me dalë
N'oborr. T'tjerët dalin. Ai rri fillikat.
Prej disa ditësh, pëshpëriten fjalë:
Dikush vjedh ushqimet... I ha në shtrat.

Mëngjez. Bilbili bie. Bahet zgjimi.
"Kapa hajnin" -thotë me gjeste t'preme
Shi si ngadhnjimtar, Gavrosh Kulimi...

Marku u drodh. Vështroi me tmerr. U skuq
Pastaj, mori nji çehre të zbërdheme...
Vari kryet!... E u mbështoll palmuç!...

IV
"Këlysh i Titos! Armik! Qen bir qeni!
Mut! Maskara! Të shkërdhefsha kurvën!
Horr! Hekurat shpejt! Ta sqaroni! Merreni!"
Rrapëllimat, jehojnë në korridor!...

Kështu, komisari e fajsoi viktimën.
- Dhoma ngriu në kambë, si e ngurosun -
Shkërçi dhambët, përmendi "ofiçinën".
Ma mirë në vorr sesa i burgosun!

Nga asht Marku, vëllezën? -Pyeti Frati.
Heshtje... Izeti u flet të gjithëve, ashtu siç ishin:
"Asht kosovar... Këtu, s'ka njeri, i ngrati!"

Ptu! Jazëk na qoftë! Turp ma t'madh nuk ka!
Duerët i dridhen, nuk mbush dot kamishin
Hafiz Alushi e u la në lot, tue qa!..

V
Për krahësh - të bamë ulok, të plirun,
Kalaveshas, as gjallë as vdekë - e prunë...
Vetëm nji frazë shqiptoi, me za të ngjirun:
"Më falni! S'di si e paskam ba at' punë..."

"Zia të marrka mendt, t'marrka fytyrën..."
U struk në batanije... E ma nuk bëzan.
Përditë, përshpirtshëm, lutet. Pret mynxyrën!...
Nuk tha gja tjetër... Nuk kish çka me thanë...

Nji ditë, n'agshol, pa ra në sy, Marku ikën!...
Shtati iu qetësue... Sytë iu fikën...
Të mbramen herë, Izeti iu gjet pranë.

Me ngashërim e cenë, sytë ia mbyll...
Dhoma, në heshtje e nderon... Dikush ofshan...
Shpirti qiejsh fluturon kah nji yll!

Qershor 1993

Më shumë nga Ahmet Kolgjini