>
BIOSHQIP

Alban Mehmeti: “Nuk E Ndërroj Zhanrin E Muzikës”

24-08-2014
Karrierën si këngëtar e filloi në grupin ‘Aurora’, ndërsa sot këndon si solist. Është ky Alban Mehmeti i cili në një intervistë për gazetën Tribuna flet për dy projektet e tij muzikore, angazhimet në stinën e verës dhe shumëçka tjetër

Që nga debutimi i tij i parë si solist, Alban Mehmeti është një ndër këngëtarët më të kërkuar në estradën muzikore shqipe. Ai tani është i angazhuar me këngë të zhanrit popullor, por është preferues i madh edhe i baladave. Në një intervistë për gazetën Tribuna, Albani ka folur rreth projekteve më të cilat është duke u marrë ditëve të fundit.



Ai ka treguar se është duke realizuar klipin e këngës së tij më të re të cilën e ka në bashkëpunim me një këngëtare kosovare që është shumë e njohur për audiencën, por këtë bashkëpunim Albani ka vendosur ta lë si befasi për simpatizuesit e tij. “Po, jam duke punuar në një këngë të re të cilën e kam në bashkëpunim me një këngëtare nga Kosova, por do të dëshiroja që mos ta zbuloj emrin e saj e ta lë si surprizë për të gjithë ata që dëgjojnë muzikën time”, ka thënë Albani.

Ai ka theksuar se gjysma e klipit është xhiruar, kurse pjesa tjetër e këngëtares nuk është xhiruar ende pasi këngëtarja ka qenë shumë e angazhuar me mbrëmje muzikore. Albani ka treguar se kompozimin e këngës e ka bërë Shkumbin Nebihu-Bini ndërsa tekstin e ka shkruar Egzon Pireci e për videoklip është kujdesur ‘Urban Graphics’. “Kënga është punuar nga Bini kurse tekstin e ka shkruar Egzon Pireci e klipi është realizuar nga ‘Urban Graphics’” ka shtuar ai.



Pas kësaj këngë që do të lansohet në muajin shtator, Albani ka thënë se po në këtë muaj ai do ta lansojë një këngë të re solo. “Ishim shumë të zënë me mbrëmje e dasma prandaj ka mbetur që klipi duet të lansohet në shtator, por, në këtë muaj do ta publikoj edhe një këngë solo e që do jetë edhe me videoklip të punuar përsëri nga Urban Grahpics”, ka treguar këngëtari. Albani ka thënë se në muajin shkurt ose mars do të vijë me një album me këngë personale.

“Kam shpresuar që këtë vit të dal me album mirëpo kompozitorët nuk po munden që këngët t’i realizojnë me kohë të caktuar, pastaj po kalon një kohë dhe planet po ndryshojnë mirëpo besoj që në muajin shkurt apo mars do të vij me një album” ka theksuar Albani. Ai po ashtu ka thënë se në këtë album do të ketë edhe bashkëpunime por për të bashkëpunuar me ndonjë nga këngëtaret e estradës, të dy artistët duhet të përshtaten në zhanër muzikor.



Albani ka thënë se në këtë verë ka qenë i angazhuar në mbrëmje muzikore, por më shumë prezent ishte në dasma “Në dasma kam qenë më shumë aktiv, por kam pasur edhe mbrëmje muzikore në Ulqin dhe në pishina të ndryshme në Kosovë”, ka shtuar këngëtari. Albani ka thënë se në fund të vitit do të vijë me një baladë dhe se këtë vit është më i përgatitur se kurrë më parë “Do të ketë risi në muzikë, do të ketë projekte të reja dhe këtë vit jam shumë më aktiv se vitet e kaluara, jam duke punuar shumë që të jem më i përgatitur se asnjëherë më parë”, ka thënë ai.

Albani ka treguar se është i diplomuar në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe se një kohë ka punuar si moderator i lajmeve në njërin nga televizionet tona dhe po ashtu ka punuar edhe si gazetar dhe është marrë me përkthimin e lajmeve nga gjuha angleze në gjuhën shqipe. “Kam përfunduar fakultetin e Komunikimit Masiv dhe dikur kam ushtruar këtë profesion, mirëpo tani jam duke u marrë më muzikë dhe tani për tani nuk mendoj që të punoj ashtu siç jam kualifikuar me diplomë”, ka thënë ai.



I pyetur se a do të këndonte përsëri në zhanrin që ka kënduar kur ka filluar karrierën e tij muzikore, Albani ka theksuar se nuk del nga zhanri në të cilin është duke punuar. “Jo, nuk do e ndërroja asnjëherë zhanrin e muzikës. Kur isha pjesëtarë i grupit ‘Aurora’, isha si reper i grupit, por asnjëherë nuk jam ndjerë si reper”, ka theksuar këngëtari.

Ai ka përmendur se është përdorues i rrjetit ‘facebook’ dhe ka thënë se në këtë rrjet ka shumë fansa të cilët ai i quan si ‘miq’ e jo si ‘fansa’ dhe me ta komunikon gjithmonë “E përdori rrjetin ‘Facebook’ sepse aty kam shumë miq të mi të cilët më pyesin për projektet e mia dhe shumë shpesh njerëzit përmes këtij rrjeti më ftojnë që të këndojë në dasmat e tyre”, ka thënë për fund të intervistës Albani.
(Erdonit Hoxha)

Alban Mehmeti: “Nuk E Ndërroj Zhanrin E Muzikës”