>
LETERSISHQIP

Fjalë Në Çengel

Fjalët e tua i kam lidhur
me grep, me çengel
dhe pas pritjesh i nxjerr si ai
peshkatar-qyqari
xhindin mosmirënjohës nga shishja;
ti-fjalë-helm
1001 netët m`i kthen në netë varri.
batica jote përsipër më vjen
vulën e profetit Solomon ke në ballë
mykur e ke shpirtin në vetminë e shekujve;
ndiej në grykë kufomat e fjalëve gjysmë të vdekura -
fjalë që shpesh ia themi vetëm vetes,
fjalë si koha,
si gjurmët në rërë të tretura
jetime të mbetura,
fjalët e keqfotokopjuara të profetëve.
si dervish-murg mbi një shkëmb në mal
ti botën e rrokullis humnerave,
rrokullis zemrën time e kurrkush dot s'e ndal
shpellave
barinjtë e mjekojnë zemrën time,
me fjalë që njeriun e mbajnë gjallë.
Sheherazdja ka vdekur,
jam në hall.
Vlorë, Shtator 2001