>
BIOSHQIP

Alma Bektashi: Rina E Denje Per Tregun Boteror

13-02-2012
Ka spikatur në skenën shqiptare me veçantinë e saj jo vetëm vokale, por edhe atë interpretative. Alma Bektashi, këngëtarja nga Prishtina u bë e njohur dhe shumë e dashur për publikun shqiptar qysh me këngët e saj të para të kënduara në festivale. Alma, trajneria karizmatike e "The Voice", vjen në këtë rrëfim të gjatë duke treguar më shumë, jo vetëm për eksperiencën e saj në këtë spektakël, por edhe për veten e saj.

Një vajzë nga Prishtina që vjen nuse në Tiranë, njohja me bashkëshortin, Sokolin dhe dashuria që lindi nga librat. Jeta mes Tiranës dhe Prishtinës, dy dashuritë e mëdha të saj, si dhe marrëdhënia me fëmijët, ku duke qeshur tregon sesi vajza i thotë: "Të dua, sepse je mami më e çmendur në botë". Dhe gjithë kjo energji vjen prej shpirtit një artisteje të mirëfilltë, jo aq për shkak të shkollimit dhe as zërit, por sepse ajo ka lindur e tillë. Artiste në shpirt. Me një çiiltërsi dhe energji pozitive ajo na tregon gjithëka nga vetja, nga ndjesitë si nënë, si pedagoge dhe artiste.

Nëse kam arritur këtu ku jam, është se kam besuar shumë tek zysha ime, Suzana Frashëri. Kam punuar shumë, por kam pasur shumë besim edhe tek zysha ime. Në kohën që studioja ajo ishte përkrahësja ime më e madhe. Nuk ishte nga ato zysha që donte të këndoja vetëm muzikë klasike, por ishte një nga nxitëset kryesore për të dalë në festivale. Më vinte disa "kushte" pozitive, o do dalësh në festival, o s'ka
Alma, si ka qenë për ju eksperienca në "The Voice"?

Ka qenë një eksperiencë fantastike. Në fakt, në rolin e një anëtari jurie e kisha provuar edhe më parë tek "Gjeniu i vogël". Në këtë rast kemi të bëjmë me diçka tjetër. Janë zëra më të pjekur, zëra më të mëdhenj, zëra të rriturish. Kjo e ka bërë këtë një eksperiencë fantastike për mua në kuadër të talent-shout. Unë kisha dëgjuar për "The Voice" në Amerikë, po kur mora vesh që do të bëhej edhe këtu, më pëlqeu shumë ideja pa marrë ftesën. Në momentin kur m'u bë ftesa thashë "OK, siç duket mendimin tim e paska dëgjuar Zoti".

Si ka qenë të punosh me kaq shumë të rinj?

Unë punoj me shumë të rinj, sepse prej 10 vitesh jap mësim në Akademinë e Arteve. Po të punosh me zëra kontemporanë, me zëra modernë, me këngë moderne, është diçka tjetër.

Edhe fakti që nuk vijnë nga një shkollë muzike…

Ndonjëherë mendoj që cilësitë vokale, d.m.th. ngjyra vokale, janë elemente që nuk mësohen në shkollë, por lindin me këngëtarin. Shkolla është vërtet një hap shumë i madh për t'u avancuar, për të fituar eksperiencë dhe anën profesionale më të madhe.

Finalistja juaj është Rina. Mendon se në vend të saj mund të kishte qenë dikush tjetër, duke menduar edhe "Sing off"?

Në fakt kur kisha thënë ‘po', nuk e kisha menduar këtë pjesë. Dua të them se kjo ka qenë pjesa më e vështirë. Vendimet që merreshin aty ishin vendimet më të vështira, sepse i përjetoja edhe emocionalisht. Nuk është e lehtë të punosh me dikë, t'i dedikohesh dhe pastaj të thuash, ti do të rrish dhe ti do të largohesh. Kjo ishte pjesa më e vështirë, mendoj edhe për trajnerët e tjerë. Ka zëra shumë, shumë të bukur. Edhe ne vetë jemi çuditur me këto cilësi vokale dhe larmi të zërave që kanë ardhur.

Meqë jemi këtu dua të përmend pak Adelën. A ju ka ardhur keq për reagimin e saj pasi u largua nga ju në "Sing off"?

Është një gjë për të cilën nuk dua të flas, sepse unë nëse kam arritur këtu ku jam, është se kam besuar shumë tek zysha ime, Suzana Frashëri. Kam punuar shumë, por kam pasur shumë besim edhe tek zysha ime. Në kohën që studioja ajo ishte përkrahësja ime më e madhe. Nuk ishte nga ato zysha që donte të këndoja vetëm muzikë klasike, por ishte një nga nxitëset kryesore për të dalë në festivale. Më vinte disa "kushte" pozitive, o do dalësh në festival, o s'ka….

Pra, dalja juaj në festivale është meritë e Suzana Frashërit?

Po, ajo është e para. Në momentin kur unë i thosha; "Zysh, po unë kam ardhur për kanto", ajo më thoshte: "Jo, ti do dalësh edhe aty!" Kështu që më vjen keq, Adela nuk e ka kuptuar këtë. Unë mendoj që një artist në radhë të parë duhet të jetë mirënjohës për punën që bën pedagogu. Unë sot e kësaj dite, kur e shoh pedagogen time kam shumë emocione, sepse është personi që adhuroj më shumë dhe e falenderoj sa herë që e shoh për punën dhe durimin që ka pasur me mua.

Alma, artisti lind apo krijohet?

Jo. Artisti lind. Unë e kam thënë gjithmonë që një artist duhet të ketë shpirt artisti. Në momentin që ke shpirt artisti, ti e kupton që edhe e mira përqafohet, por edhe mangësitë që ke duhet t'i luftosh. Gjithmonë nuk je perfekt, por në kërkim të së mirës, dhe ai që ka shpirt artisti është fisnik. Dhe ai që është artist di të thotë edhe faleminderit, edhe më fal.

Njiheni si një këngëtare që ka sjellë risi në muzikën shqiptare, por ndërkohë vitet e fundit keni qenë disi në heshtje. Përse?

Unë në jetën time jam shumë e përmbushur dhe jam e lumtur për këtë. Është e vërtetë që kam pasur një periudhë deri në vitin 1999 nëpër festivale, përpara se të shkoja në Prishtinë. Mora pjesë deri në vitin 2001-2002 edhe tek "Kënga Magjike". Më vonë kur shkova në Prishtinë, kuptova që kisha nevojë që gjithë eksperiencën time ta ndaja me studentët. Ndoshta ishte kjo që u përkushtova më shumë. Pastaj, bëra edhe master për Dramaturgji; meqenëse isha në sektorin e Arteve Dramatike doja të dija më shumë për botën e artistëve, jo vetëm këngëtarë por edhe aktorë. Kështu i hyra një teme studimore prej tri vitesh. Kjo ndodhi pasi në vitin 2003 nxora albumin tim, ku ishin përfshirë edhe shumë këngë të njohura, si "Të gënjen ai", "Zhgënjimi" etj. Këngë të cilat njerëzit i kanë dashur dhe kam dëgjuar p.sh., të më thonë që "unë me këngët e tua udhëtoj, ose me këngët e tua gjej frymëzim për pikturë", dhe mendoj që kjo është dhurata më e bukur e publikut. Më vonë mendova të bëja edhe një libër që do ta finalizonte punën time në master dhe ishte " Transformimi i zërit tek aktori". Libri ka dalë në prill të 2011-ës, i cili quhet vetëm "Zëri dhe aktori", një libër tepër kompleks sa i përket zërit në skenë. E gjithë eksperienca ime në "The Voice" besoj do të më ndihmojë për një libër tjetër mbi këngëtarët kontemporanë. Një libër, i cili shtjellon problemet e një këngëtari joklasik.

Kjo do të thotë që projektet tuaja janë të ndryshme tani…

Unë gjatë gjithë kohës kam qenë me projekte. Kam qenë tek "100 këngët e Shekullit", pastaj kam qenë edhe tek "Romeo dhe Zhuljeta". Por të bëj një këngë të veçantë me videoklip, e kam lënë pak pas dore. Është e vërtetë.

Si e shihni tregun tonë muzikor aktualisht?

Pak kaotik.

A mendoni dhe ju si shumë artistë të tjerë të mëdhenj, se muzika po humbet vlerat e saj?

Gjithçka është kthyer në komercializëm, po ky term tek ne është keqkuptuar. Bota bën komerc dhe ai është i mirë kur ti shet muzikë të mirë. Atëherë njerëzit dëgjojnë këngë shumë të bukura. Ndërsa tek ne komercializmi po keqinterpretohet dhe keqshitet. Tani aq shumë janë perfeksionuar studio saqë unë e quaj të kënduarit në studio, ‘hekurosje' të çdo note. Kur ti e këndon një këngë 40 herë në studio, edhe emocioni prishet. Këngëtarët e mëdhenj, një rast si Phil Colins, ai këngën gjithmonë e ka regjistruar me të parën ose të dytën. Nuk ka ekzistuar hera e tretë të futet në studio, prandaj unë kënaqem kur dëgjoj këngëtarët e " The Voice" kur këndojnë. Ata mund të kenë ndonjë pasaktësi, por ajo është e gjitha emocion dhe është një pasuri e paçmueshme. Nuk i krahasoj as me këngëtarë që shesin qindra CD. Të mendosh që shumë prej tyre e kanë prekur mikrofonin për herë të parë në "The Voice" dhe tani janë artistë.

Alma, në këngët tuaja dukeni si melankolike?

Unë asnjëherë nuk e shaj djalin në një këngë (qesh). Çuditem si janë tekstet e këngëve të mia p.sh. "Eja", "Po të pres", "Largohu", gjëra të kësaj natyre.

Çfarë pritshmërie ke nga Rina si artiste?

Rina është një artiste shumë e kompletuar. Me një vokal shumë të mirë, është studioze dhe pianiste shumë e mirë.

Zëri i Rinës është i veçantë, por këta zëra në Shqipëri nuk kanë pasur shumë sukses…

Unë uroj që Rina të bëjë karrierë diku jashtë, sepse këtu do vazhdojë që antivlerat të çmohen. Do vazhdojnë këto këngët sezonale, këngë plazhi.

Keni menduar ndonjë duet me zërat e spikatur në "The Voice"?

Po, kam menduar dhe shpresoj të më realizohet.

Si kanë qenë marrëdhëniet me trajnerët e tjerë, duke parë se jeni aty për të njëjtin qëllim?

Janë fantastike. Mua më vjen të qesh sepse edhe pas mbarimit të spektaklit jemi ulur të diskutojmë rrjedhën e tyre, si u bënë, si na eci etj. Megjithatë, batuat e Sidritit janë gjithmonë prezente në tavolinë dhe unë qesh me aq zë sa kthejnë kokën të gjithë në lokal, sepse nuk qesh dot avash. Vazhdojnë batutat pa ndërprerje.

Si ka qenë jeta juaj mes Tiranës dhe Prishtinës?

Kjo është gjëja më e bukur që mund të ndodhë. Mund të them edhe diçka interesante. Së fundi më ka ndodhur që të vij në kohë stuhish nga Prishtina në Tiranë; më tha njëri nga policët në kufi: "Pse nuk bën një kontratë mos të të kontrolloj fare? Vetëm kalo kufirin" (qesh). Tiranën e dua shumë, pa Prishtinën nuk mund të jetoj. Janë dy kryeqytete që i dua me shpirt.

Alma, një vajzë nga Prishtina që vjen nuse në Tiranë. Si ka qenë për ju ky kapërcim i kufijve?

Nëse të tjerët kanë hasur në fjalë, jo si po martohen e të tjera, mua nuk më ka bërë përshtypje fare. Gjithë bukuria ishte kur lindi vajza ime, Anisa. Bashkëshorti im, Sokoli dhe Anisa kanë lindur në Tiranë, ndërsa unë dhe djali Oresti, në Prishtinë. Çuditërisht, Sokoli dhe Anisa janë më të qetë dhe zhurmaxhinjtë e shtëpisë jemi unë dhe Oresti.

Artistët janë të veçantë, si ju bëri për vete Sokoli?

Rastësia ka qenë që kemi folur pandërprerë vetëm për libra, duke qenë se ai ka mbaruar për Gjuhë-letërsi.

Ju kanë bashkuar librat me pak fjalë?

Po. Kemi folur shumë për libra. Jashtëzakonisht shumë. Diskutonim për librat që kishim lexuar, përvojat që ai ka pasur në Gjermani në kohën që ka jetuar atje, përvoja ime që vija nga koncertet, apo edhe për librat që lexoja. Ajo miqësi kaloi më shumë pastaj. Madje kishim edhe xhelozi, sepse kur ai kishte lexuar ndonjë libër më shumë, mua më vinte inat dhe shkoja me vrap ta lexoja. Dhe nëse javën tjetër qëllonte që të binte diskutimi të thosha po, patjetër që e kam lexuar atë libër (qesh).

Si është Alma si nënë?

Si fillim kam dëshirë që fëmijët e mi të mësojnë shumë, sepse jeta është shumë dinamike. Shpeshherë i them vajzës që nuk është puna që të m'i sjellë notat e mira mua, por vetes. Nesër do të jetë ajo që do t'i çojë dokumentet për punë.

A kanë talent në muzikë ndonjëri prej tyre?

Vajza ka një zë shumë të bukur, po për mua nuk është primare që ajo të marrë muzikën.

Përse?

Unë mendoj që ajo është shumë më e talentuar në pikturë dhe e ka ëndërr që të bëhet dizajnere. Ndërsa për këngën i kam thënë që "ta bëj unë një këngë kur të duash. i bëj unë dhe zërat e dytë", por këngën ta ketë për qejf.

Po djali?

Tani për tani luan me top, thyen gjëra (qesh). Ta shohim.

Alma, jeni shumë në formë. Si ia bëni?

Po, sepse unë i bëj të gjitha vetë. Gatuaj vetë, pastroj vetë, vrapoj vetë (qesh). Dua t'i bëj të gjitha vetë.

Jeni më tepër tradicionale?

Nuk e di ku futem unë. Unë jam tamam si mes Prishtinës dhe Tiranës, ashtu edhe mes tradicionales dhe modernes. Ndonjëherë vajza më thotë: "Mami të dua se ndonjëherë më dukesh mami më e çmendur" dhe unë e marrë këtë si kompliment sepse kam arritur që vajzën ta bëj shoqe.

Po dietë a mbani?

Jo. Absolutisht që jo.

Qendrat e bukurisë?

Asnjëherë nuk i frekuentoj. Dikur nëna ime ngaqë punonte në farmaci na sillte kremra të bërë vetë. Tani kam 15 vjet që përdor një krem nga familja e "Vichy". Nuk e konceptoj veten që të rri gjysmë ore, për mua është shumë. E di që po shkove në një sallon pa një orë nuk del. Një orë për mua është tmerr. Kam provuar të vrapoj nja 2-3 herë. Kur ra ora në 5 të mëngjesit thashë; "OK mund të më pushkatoni, po mos më çoni nga shtrati" (qesh).

Alma, çfarë e pasuron më shumë jetën e njeriut, shpirti apo paraja?

Vetëm pasuria e shpirtit. Ti mund të kesh shumë pasuri, vilat më të bukura, jaht, por kulturën, fisnikërinë familjare nuk e blen dot. Ajo lind me ty. Fisnikëria që një njeri ka është e lindur, nuk fitohet. Unë mendoj që paraja duhet të jetë deri në atë masë sa t'i realizojë apo të jetë në shërbim të njeriut. Për mua nuk ka rëndësi p.sh. lloji i makinës, a është tipi i fundit, për mua makina është thjesht një gjë që kryen punë. Unë jam pak natyrë ekonomiste, sepse nuk më vjen të harxhoj kot për diçka shumë të shtrenjtë. Edhe në fakultet kur shkoj e mas veten gjithmonë se çfarë vesh. Unë shoh njerëz që nuk janë në nivel ekonomik njëlloj, apo studentët dhe nuk e kam në natyrë që të shkoj dhe t'u tregoj atyre garderobën time. Unë mendoj që edhe veshja, gjithçka shkon në kuadër të asaj se jemi të detyruar të vishemi, ta kemi makinën sepse na duhet të mbarojmë punë dhe nuk mendoj që përmbushja e parasë përmbush edhe anën shpirtërore. Anën shpirtërore e përmbush kur je i lumtur, kur ke një njeri që do dhe kur ke një familje që sillet rreth teje.

Alma, beson në fat apo në punë?

Është edhe fati, por edhe puna. Thuhet që Zoti i tha njeriut: "Unë të shtyj, po ti duhet të punosh". Siç u them edhe studentëve të mi, mësuesi ta hap portën, por brenda duhet të futen vetë. Mendoj se është edhe fati, por edhe sa i paraprin atij.

Ju vetë me sa fat jeni ndjerë në jetë?

100% jam ndjerë me fat.

Çfarë ju ka ngelur pa bërë?

Nuk e di. Është një pyetje që dua t'ia lë kohës. Më frikëson kjo pyetje, sepse nëse e pyet një 80-vjeçar ndoshta tregon se çfarë i ka ngelur peng, ndërsa unë do pres akoma të më realizohen disa dëshira (qesh).
(Jonida Hitoveizi MAPO)

Alma Bektashi: Rina E Denje Per Tregun Boteror