>
BIOSHQIP

Alma Bektashi: Fituesi, Shembull Për Këngëtarët Që I Dëgjojmë Vetëm Në Cd

22-01-2013
Për Almën nuk ka rëndësi se nga cila skuadër do të jetë fituesi… “S’ka rëndësi se kujt ekipi i takon. Konkurrentët e ‘The Voice’ janë të gjithë artistë të talentuar, që kanë punuar shumë. Fituesi do të ketë të gjitha cilësitë që përfaqësojnë këtë ndërmarrje të madhe talenti. Ai do të jetë shembull i muzikës live, shembull i talentit për shumë këngëtarë të tjerë, që i kemi dëgjuar vetëm nëpër CD. Vërtetë Rina që fitoi një vit më parë ishte në skuadrën time, por të gjithë e dinë dhe janë dakord që ajo është një artiste e kompletuar dhe i kishte të gjitha vlerat për të triumfuar”. Alma na tregon se për finalen ka emocione, por aspak siklet… “Nuk kemi asnjë lloj sikleti, sepse për këtë finale është punuar shumë, janë bërë prova të gjata dhe gjithçka është realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jap mësim në Fakultetin e Arteve, por sado që mendon se ke arritur shumë, nëpërmjet ‘The Voice’ kupton që ka akoma për të marrë. Jam e lidhur me konkurrentët, sepse i takoj çdo ditë dhe u jap shumë atyre, por po aq edhe marr nga ata. Zëri është diçka mistike, që nuk shihet e nuk preket, por kur është i veçantë e i bukur të dhuron ndjenja e të emocionon. Kështu ne punojmë me anën artistike e sigurisht edhe me anën teknike, duke u munduar që t’ua ulim sa më shumë shkallën e vështirësisë së një kënge këtyre artistëve të rinj”.
(Adelajda Xhamani Bluetooth)

Alma Bektashi: Fituesi, Shembull Për Këngëtarët Që I Dëgjojmë Vetëm Në Cd