>
LETERSISHQIP

Mëngjes I Hutuar Qershori

Ç’është ky mëngjes i hirtë, nën re,
Me njerëz që ecin të hutuar
Në gjoks të qytetit që ende fle
Dhe supeve ankthin mbajnë ngarkuar…

Ca zogj më tutje sikur thyejnë heshtjet,
Të dehur rendin në rrugë ajrore
Më tutje vajza që mbysin qeshjet
Rrugëve të lodhura nga heshtje mortore.

Qytet që s’di pse më ngjall frikë,
( i dal prej netësh me ankth dhe drithma)
Këtu dhe dita s’mbushet me dritë,
Këtu përshëndetjet ngjasojnë me klithma…