>
BIOSHQIP

Andos: Unë Një Rroker Flirtues

09-12-2012
Fillimisht u bë i njohur me grupin kosovar "Kthjellu", për të nisur më pas karrierën e tij solistike. Këngëtari kosovar i rrymës rrok, Andos ka marrë pjesë në edicionin e radhës të "Kënga Magjike", duke fituar çmimin "Kantautori më i mirë" me këngën "Ku je ti". I pyetur nga suplementi "THASH&THEM" këngëtari është shprehur se ndihej mjaft i vlerësuar me çmimin e fituar, si dhe që është duke punuar për projekte muzikore të reja. Gjithashtu ai konsiderohet si një mashkull mjaft flirtues me femrat.

Andos u prezantuat në "Kënga Magjike" me këngën "Ku je ti", dhe fituat çmimin kantautori më i mirë, çdo të thotë ky çmim për ju?

Do të thotë shumë për mua, është një ndër çmimet më të mira që unë do doja të pranoja, pasi punoj vetëm dhe shumë në këngë.

Si u ndjetë në këtë event dhe me kë nga këngëtarët lidhët më shumë miqësi?

Me shumicën e këngëtarëve njihesha më parë, mirëpo më erdhi mire që takova Aleksandrin, Arditin dhe disa të tjerë.

Si ishte të bashkëpunoje me Alban Skënderaj?

Me Albanin e kam lehtë të punoj pasi jemi miq shumë të afërt dhe e njohim botën artistike njeri-tjetrit, për mua për tekste Albani është një ndër tekstshkruesit më të mirë që kemi kështu që e dija që do bënim një tekst të mirë.

Do të merrni pjesë në ndonjë kompeticion tjetër muzikor?

Besoj se po.

Gjithashtu ju jeni paraqitur edhe me këngën "Ti je ajo", e cila në fakt i përket rrymës dance, përse ky ndryshim ndërkohë që ju jeni një përfaqësues i rrokut?

Më pëlqen të eksperimentoj dhe unë jam një adhurues i muzikës elektronike, kam qenë prej kohësh adhurues i kësaj rryme, mirëpo i qëndroj besnik shpirtit tim prej rock-isti sigurisht.

Me çfarë rrymash të tjera do të eksperimentonit?

Përveç këtyre dy rrymave, ndoshta edhe me ndonjë Hip-Hop artist, mirëpo me elemente të rock-ut padyshim.

Keni qenë kitaristi i grupit të njohur "Kthjellu", mendoni se ishte zgjedhja e duhur karriera solo?

Po, pasi në çastin që kompozoja vetë këngët dhe i orkestroja mendova, pse mos të filloj karrierën time solo, deri tani jam i kënaqur me vendimin që kam marr.

I ruani ende marrëdhëniet më ish pjesëtarët e grupit?

Me ish-bateristin kam raporte shumë të afërta sepse ai tashmë është pjesë e bandës time për koncertet live.

Kemi dëgjuar se do të riktheheni sërish me një bashkëpunim me një nga emrat më të mirë të muzikës rrok në Shqipëri, mund të na thoni diçka më shumë rreth tij?

Jo, nuk është e vërtetë mirëpo nuk i dihet, mbase në të ardhmen ndoshta edhe po, unë kam realizuar vetëm një projekt me Eugent Bushpepën dhe mendoj se Genti është një muzikant dhe këngëtar shumë i talentuar, një ndër më të mirët që kemi nga Shqipëria, kështu që më ndonjë rroker tjetër nga Shqipëria nuk mendoj njëherë për njëherë të ketë.

E në fakt cilat janë projektet tuaja të ardhshme pas "Kënga Magjike"?

Sa më shumë këngë (qesh).

Keni në plan të jeni pjesë e lokaleve të natës për tëperformuar live?

Patjetër që po.

Sa preferohet rroku në Shqipëri dhe Kosovë?

Është duke u përmirësuar mirëpo ne artistët rock duhet të punojmë më shumë për ti ofruar materiale cilësore publikut.

Mendoni se është duke u zbehur nga rrymat e tjera?

Rock-u gjithmonë do të ketë vendin e tij, shumë stile komerciale që bëhen, zbehen zakonisht dhe pas sezonit nuk e dëgjon më atë këngë, mirëpo besoj materialet Pop& Rock gjithmonë mbesin.

Po në lidhje me femrat si janë marrëdhëniet tuaja, pasi kemi dëgjuar se keni patur mjaft flirte?

S'është keq (qesh).

Frymëzoni diku apo keni ndonjë artist si pikë referimi për të realizuar muzikën tuaj?

Ka edhe artistë mirëpo frymëzohem edhe vetvetiu nga bota ime artistike. Me Albanin e kam lehtë të punoj pasi jemi miq shumë të afërt dhe e njohim botën artistike njeri-tjetrit.
(Thash&them)

Andos: Unë Një Rroker Flirtues