>
BIOSHQIP

Anxhela Peristeri: “Kënga, Dashuria Ime Më E Madhe”

28-01-2016
Këngët që ajo këndon pasqyrojnë përditshmërinë tonë në shumë momente. Anxhela në këngë derdh gjithë emocionet e saj dhe i bën këngët më tërheqëse e të ndjeshme, gjë e cila e bën atë të dallueshme nga gjithë kolegët. Kemi kënaqësinë ta kemi në këtë intervistë, të cilën me shumë dashuri ju ftojmë ta shijoni...

Teksteshqip: Kur keni kënduar për herë të parë një këngë?

Anxhela: Për herë të parë, flas në një skenë, kam kënduar kur isha 10 vjeçe në festivalin e fëmijëve në Korçë. Ndërsa këngën e kam filluar që si gjashtë vjeçare, në korin e shkollës Tefta Tashko Koço, ku studiova për violinë!

Teksteshqip: Kishit ndonjë model kur nisët karrierën?

Anxhela: Jo, asnjë model. Kënga ka qenë dhe është dashuria ime më e madhe dhe nuk jam influencuar nga ndonjë këngëtar në veçanti.



Teksteshqip: A ndjeheni e plotësuar në jetën tuaj ?

Anxhela: Po! Për momentin jam e plotësuar. Sigurisht që plotësimi përfundimtar do jetë kur të kem fatin të bëj edhe një fëmijë në të ardhmen e largët, haha (qesh).

Teksteshqip: Me Aurelin, Blerinën e Erikun jeni katërshe e pandarë. Ç’e dallon shoqërinë tuaj me atë të miqve tjerë?

Anxhela: Me Aurelin, Blerinën dhe Erikun përveçse kolegë, jemi edhe miq shumë të mirë. Mendoj se jo rastësisht ky kombinim është i suksesshëm si në këngë, ashtu dhe në miqësi. Thjesht, "S'ka si ne" që e thotë dhe kënga jonë.



Teksteshqip: Do presim ndonjë bashkëpunim të ri nga ju?

Anxhela: Projektet e reja për momentin nuk mund t'i zbuloj, po vijnë...

Teksteshqip: Cila është kënga juaj më e dashur?

Anxhela: Kënga ime më e dashur mbetet "Ishe mbret".

Teksteshqip: A mbani mend ndonjë çast komik nga jeta?

Anxhela: Çaste komike kam pasur plot. Njëri ishte në Athinë, në buzukun që këndoja, para se të dilja në skenë rashë nga shkallët dhe dola në skenë me rrëshqitje. Por, përsëri e fillova këngën në momentin e duhur. haha (qesh)



Teksteshqip: Kush përkujdeset për lukun tuaj?

Anxhela: Për lukun tim është përkujdesur me shumë dashuri dhe profesionalizëm Joni Peci.

Teksteshqip: Si e kaloni një ditë të zakonshme?

Anxhela: Një ditë të zakonshme e kaloj me shoqërinë ose duke parë filma, lexoj ndonjë libër, dëgjoj muzikë etj.

Teksteshqip: Anxhelina, ne ju falenderojmë për këto momente të mrekullueshme dhe ju urojmë shëndet e mbarësi!

Anxhela: Do doja t'ju falenderoja për intervistën. Suksese dhe dashuri për të gjithë!
(Arsim Kolari - teksteshqip.com)

Anxhela Peristeri: “Kënga, Dashuria Ime Më E Madhe”