>
BIOSHQIP

Anxhelina: Mundohem Të Kultivoj Muzikën Që Unë Pëlqej

06-11-2013
Studimet universitare po e penalizojnë angazhimin e saj më të fuqishëm në muzikë. Por këngëtarja e re Anxhelina Hadërgjonaj nuk e ka në plan ta lë anash këngën. Këngëtarja nga Shqipëria, e cila tash e sa kohë ka nis studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë me dije se është duke punuar rreth një kënge, e cila sipas të gjitha gjasave do të publikohet para festave të fundvitit.



“Ka kohë që e kam në plan të vijë me një këngë të re. Këngën e kam porositur, por angazhimet e mia në universitet e kanë penalizuar pakëz angazhimin tim skenik. Sidoqoftë unë nuk e kam lënë pas dore muzikën dhe jam duke pritur për realizimin e kësaj këngë. Nëse çdo gjë del ashtu siç e kam paramenduar, besoj se do të publikohet para festave të fundvitit. Por e kam pak të vështirë të flas konkretisht pasi që ende nuk është e përfunduar kënga”.



Këngëtarja e cila angazhimin e saj artistik e ka marrë shumë seriozisht, përkundër synimeve në ngritjet universitare, ka treguar se edhe bashkëpunimet me artistë të tjerë i ka shumë në qejf. “Ne kemi shumë artistë të mirë. Nuk e di se me cilin nga ta kisha dashur të bëj ndonjë bashkëpunim. Edhe pse tani për tani nuk e kam në plan të vijë me ndonjë të tillë, në të ardhmen shpresoj që do të kem edhe bashkëpunime me kolegë”, ka pohuar Hadëgjonaj, ndërsa gjithashtu ka treguar se nuk do të donte që në bashkëpunimet e saj t’i ikte zhanrit të cilin e kultivon me ëndje. “Do të doja që bashkëpunimet t’i kem brenda zhanrit tim. Pavarësisht trendit të muzikës që sot po pëlqehet, unë do të mundohem që gjithmonë të kultivoj muzikën që unë e pëlqej dhe me të cilën ndihem më së miri”.



E dalë nga një familje artistësh, dhe e rritur në frymën muzikore e këngët e nënës, Albërie Hadërgjonaj, Angjelina ka treguar se ishte dashuria për këngën ajo që e qoi në rrugë të së ëmës. “Edhe pse mami ka qenë shtysa kryesore e rrugës sime në muzikë, ajo nuk më ka bërë që unë të bëhem këngëtare. Do të thosha që fryma në të cilën jam rrit më ka shtyrë të bëhem këngëtare edhe pse ne jemi dy motra dhe motra ime nuk dëshiron t’i hyjë kësaj pune”.



E bukur e joshëse, këngëtarja s’ka se si të mos bie pre e shikimeve mashkullore. Dhe përkundër kësaj, vajza ende thotë se është single. “Nuk ka asgjë të re në jetën time private”, ka thënë prerë ajo, ndërsa kohën e saj e ka arsyetuar me angazhime të shumta rreth studimeve. “Unë studioj në Amerikë për biznes menaxhment dhe për momentin ky është prioriteti im në jetë”.
(Nita Brisku)

Anxhelina: Mundohem Të Kultivoj Muzikën Që Unë Pëlqej