Arjana Fetahu Gaba Poezi
Arjana Fetahu Gaba

Tema: Poezi Për Mërgimin


Më Fol Shtëpia Ime

Më fol shtëpia ime, pse më rri në heshtje,
Plot vite këtë çast, kam pritur të vijë,
Unë të vërtitem sikur ajo dallëndyshe,
Që s'di ku të ulet, e s'di ku të rrijë.

E di s'ke ç'të thuash, se më je mërzitur,
Harta harta muret, për mëshirë rrëzuar,
Veç në trupin tënd akoma ca gozhdë,
Portetet tona ende mbajnë zgjuar.

Përballë kuzhina ku rrinte nëna ime,
Atje ku ajo gatuante me aq shumë dashuri,
Tani në këto qyngje bloza ka shtruar,
Dhe zjarr më, si ndizet në gji.

Me tutje dhomat e gjumit, shtretër të harruar,
Dikur të qeshurat gjëmonin në mesnatë,
Dritarja e vogël, ngrënë mola drurin,
Atje nga hynte hëna dhe rrinte me ne gjatë.

Ndërsa jashtë obrrit, ende sikur dëgjoj,
Çak çuket e sëpatës, kur priste dru babai,
Kasollja e Balos sikur më rënkoi,
Një lehje të zbehte sikur këngë vaji.

Ah moj shtëpi, që s'më flet një fjalë,
Dhe unë gojë mbyllur jam, e s'te flas dot,
Ti më kupton, mërgimi qe një hall,
Që ma bloi shpirtin në mulli me lot.


June 5, 2022
Garfield, New Jersey, 2022

- Poezi nga Arjana Fetahu Gaba



{{ risposta }}
Mesatarja:  {{ nStars }} / Votuan:  {{ nVotes }}

Komente 0