>
LETERSISHQIP

Drejtësi

Lindur në mote të shkuar mendjendritur, kokëzbuluar,
nëpër shtigje e nëpër brigje me kanune e me ligje,
u përpoqe e u përndoqe, drithërruar u shkërmoqe,
porse prapë e ngazëlluar, buzëvrarë, zemërlënduar,
me sy lidhur, shpirt të dridhur, zë të qetë e ton të hidhur,
u ringjalle në ngjyrë alle si feniksi i një përalle…
Drejtësi!

Të burgosën hileqarët, cmirëzinjtë e gënjeshtarët,
të varrosën, të fundosën, me zinxhira të prangosën,
të harruar, të përçmuar, si të vdekur të vajtuar,
u gëzuan, u lëvduan, plot dëshirë duart fërkuan,
lajkatarët e zyrtarët, kobëzinjtë e gjakatarët,
Presidentët, disidentët, maskarenjtë e kompetentët…
Drejtësi!

Përruruan përmendorët, prokurorët me fajtorët,
brohoritën e bërtitën, kujën vunë e ulëritën,
mercenarët, gazetarët, militantët e brashnjarët,
davaxhinjtë e burgaxhinjtë, avokatët, dellënxhinjtë,
në bankete e në sepete, ngjeshur dëndur me ryshfete,
tregëtarët e zagarët, matrapazët, emisarët…
Drejtësi!

Në tribunat e pushtetit, nën rrënkimet e miletit,
nëpër zyra ministrore, nëpër tempuj e faltore,
në afera korrupsioni, në biseda telefoni,
në sallone aristokrate me parulla demokrate,
në metingje, demostrata me skërmitje sterrë si nata,
në mesazhe celularësh, në mashtrime qytetarësh…
Drejtësi!

Nën vezullime oxhakësh, jargavitje baxhanakësh,
mes koncerteve zyrtare, dreka, darka, familjare,
përshëndetje hipokrite, plot ceremoni e rite,
elitarët, kokëpalarët, filozofët, mendimtarët,
me kajenët e legenët, fajdexhinjtë e të pa nxenët,
shpirtkatranët prostituta, me fjalime dhe batuta…
Drejtësi!

Tek i rreh dallga e detit, krekosen burrat e shtetit,
nëpër vila bukur ngritur, përmbi pronën e grabitur,
me ndërgjegje të qetuar në postiqe rehatuar,
kreshpërojnë kokat krenare me nuanca kombëtare,
kokëboshët e sarhoshët, gafaxhinjtë edhe kodoshët,
burracakët, frikacakët, deputetët mendjepakët...
Drejtësi!

Veç!...

Gatuar me gjak dëshmorësh, bekuar me frymë shënjtorësh,
larë në ujin e lumenjve, tharë në grykat e shkëmbenjve,
nga zemrat e vegjëlisë, dritë e shpresë e djalërisë,
pa mëshirë si dallgë deti, uturimë, buçimë tërmeti,
mos mëno në ato brigje, n’ ato lugj’ e ato shtigje,
se të presin fitimtare maja malesh legjendare…
Drejtësi!

Janninë, shkurt 2013.