>
LETERSISHQIP

Kurbeti

(motiv i frymëzuar nga Andon Zako – Çajupi)

Dilua kur u martua,
duroi një muaj me grua,
kur një ditë i thotë: Dili,
a nuk shkojmë në Itali?

Dilja ishte prostitutë,
Dilua, trim dhe hajdut!

- Eja xhan se po bëjmë baf!
Hajde hipim në një skaf,
se ky vend nuk bën për ne!
Ky s’ është shtet, ky është hale!
Pse ky vend është i mallkuar,
nuk i do burrat e zgjuar!
Shqipëri, të bëfsha gropën,
merr dylbitë, vështro Europën!

Kurbeti, shokë, kurbeti,
ku pasurohen mileti!

Hedhin mbrapa gur të zi,
nisen, mbrrijnë në Itali,
atje Dilua gjen kolegë,
ca janë toskë e ca janë gegë,
kosovarë e ndonjë belg,
plot xhepistë edhe sarhoshë,
drogaxhinj po dhe kodoshë!

Po dhe Dilja goxha grua,
fët e fët u ingranua,
a më shqip: u integrua!

Dilua del, del dhe Dilija,
sejcili në punë të tija,
Dilija ajros krevate,
Dilua zhvidhos kanate,
shkon Dilija për vizita,
Dilua punon pa drita,
Dilua punon me ment,
Dilija rreshton klientë,
Dilua zgjeron bisnesin,
Dilja shfrytëzon mëngjesin,

Dilua me gjithë Dilinë,
bashkë rrinë, hanë edhe pinë!

Në darkë numërojnë paratë:
- Nxorre nëntë, fitova shtatë,
jo ti pesë e unë po tetë,
sot filloj turnin e tretë!

Dilos puna i shkon mbarë,
peshon gjërat në kandar,
“peshkon”, gjen ca shqipëtarë,
ca të shkretë e ca qyqarë,
i sajdis, i këshillon,
i ujdis, i kërcënon,
u jep dum, i rekruton,
ua vë kokën në torbë,
ua zhyt jetën në çorbë.

Dilua i mban me rrogë,
ata bredhin shesin drogë.
Bëhet Dilua me mbivlerë,
i thotë vetes menaxher.

Po dhe Dilja punë e madhe,
e bukur porsi sorkadhe,
mbledh rreth vetes gra të tjera,
fukaresha e të mjera,
rri dhe u mëson zanatin,
u shton dijet e takatin,
u tregon eksperienca,
u rrëfen dhe ca nga shkenca,
u gjen miq edhe mikesha,
Dilija, profesoresha!
Porse, ditën e provimit,
u mban gjysmën e fitimit!

***

Ikin vitet, zbardhen qimet,
çiftit i shtohen fitimet,
pse për ta punojnë të tjerë,
ronxho bonxho, myteberë,
që duan të bejnë karrierë.
Dilua tash është miliarder!

Por çdo gjë e ka një fund!
Lek i nxjerrë me djersë e mund,
do kujdes të menaxhohet,
të qarkojë e të pastrohet.
Veçse koha po ndryshon,
do kujdes pa u bërë vonë.
Dilija e ndjen rrezikun,
dhe përpiqet të zgjojë mikun.

- Dilo, çoju dhe merr masat
se po kërcasin dërrasat,
se bisnesi kërcënohet,
policia po afrohet,
emri yt, or tungjatjeta,
qarkullon nëpër gazeta,
dhe po filluan dyshimet,
ikën punët dhe fitimet,
vate vila në bregdet,
e pastaj oh, vaj medet.

Dilua dëgjon Dilinë,
dhe ndjen mall për Shqipërinë,
rri kujton rininë dhe shokët,
mallëngjehet dhe çkul flokët:

- Qysh e lamë mëmëdhenë?
- Qysh harruam Skënderbenë,
Ali Pashën e të tjerë,
burra të shquar, me vlerë?

Dilua përqafon Dilinë,
qajnë të dy për Shqipërinë!
Këmbëkryq e pleqërojnë,
që të nisen e të shkojnë!

- Ikim, ikim shpirti im,
se ky vend mban era krim!
Ec të marrim aeroplanin!
Dilua bën gati planin.

Për një natë i shet gjithë shokët,
dhe jugorët dhe malokët,
telefona anonimë
alarmojnë xhandarmërinë,
mbushen burgjet me banditë,
dhe gazetat ditë për ditë
japin lajme për suksese,
për hajdutë, njerëz me vese,
prostituta dhe sekserë.
As Dilija s’mban hatër!

Dhe kështu të rehatuar,
me ndërgjegje të qetuar,
bashkëfajtorët spiunuar.
- Hajde shpirt t’ ja marrim shtruar!

Dilua zë një avokat,
ndërron emër dhe zanat,
shkon në kishë e pagëzohet,
lan mëkatet dhe pastrohet.
E tani nuk quhet Dilo,
bëhet i krishterë dhe Pilo!

Pa hap qesen Pilo djali,
blen diploma nga “Kristali”
ku ka tjetër si ai,
me master në Drejtësi!

Pa dilni pyetni mikun
kur e bëri Juridikun,
gjimnazin kur e mbaroi?!
Pilua di të mbyllë çdo gojë!
Kur e ndjen se humb në kthesë,
përdor vrasës me pagesë.

Veç, Dilinë nuk e harron,
i jep dhe asaj diplomë,
nxjerr dhe ca para nga thesi,
blen “doktoraturë bisnesi!”

***

Rinas, o vend i bekuar,
dil prit Pilon me Dilinë,
që po vijnë të përmalluar,
të lëftojnë për Shqipërinë!

Zbriti Pilua në atdhe,
përgjunjet aty, përdhe,
zë e puth bar edhe baltë:
- Të ëmbëla janë si mjaltë,
e nuk keni më ç’ të thoni!
Paska pasë të drejtë Andoni!

Dilija bie ndër mend,
një Andon që kish klient
mallëngjehet dhe ajo
me të drejtë, po domosdo.

***

Vite shkojnë e vite vinë.
Ç’ u bë Pilua me Dilinë?
E di që jeni kuriozë,
ju, o lëçitës seriozë.

Por do t’ ju a them shkurt fare,
se do dal për një cigare:

Pilua me gjithë Dilinë,
pasi qanë për Shqipërinë,
menduan me sytë plot lot,
mos t’ i çojnë diplomat kot.

Pilua gjeti ca miq,
që nuk qenë njerës të liq,
edhe nuk u bë kiameti,
pse ca ishin burra shteti.

Dhe Dilija mendjefemër,
i jep mend e i jep zemër:

- Ja, kjo qënka Shqipëria,
ku s’ pinë ujë mendja dhe dija,
veç paraja mbaron punë.
- Atë po mendoj dhe unë!

Pa kap Pilua i kurbetit,
një nga një hallkat e shtetit,
e çon Dilën në doganë.
Ah, ta shihnit nga një anë!

Dilija tani çan vetë,
shkathtësi e marifet,
me të butë a me siklet,
nis e ngjit shkallët përpjetë
i heq burrat prej kapistre,
dhe një ditë gdhihet: Ministre!

Po dhe Pilua nuk ngel mbrapa,
ku me vrap e ku me hapa,
ku me lekë e kërcënime,
ku me fjalë e ledhatime,
ku direkt e ku nën dorë,
bëhet: Kryeprokuror!

Tani del para pasqyrës,
ndjen shkëlqimin e fytyrës,
por dhe peshën e detyrës,
i thotë vetes: – Hajde kingu,
se pa ty s’ bëhet Vetingu!