>
LETERSISHQIP

Pervjetor

-me dashuri për ju miq të mi, kudo që ndodheni-

Në përvjetor të ditëlindjes sime,
kam plot mezera mbi tavolinë,
mish edhe peshk, turli me perime,
tok me kanoçen që hedh rakinë!

Dhe globin e vogël që shokët e klasës,
ma sollën atëhere, kur unë mbushja dhjetë,
e kapa kujdesshëm nga cep’ i dërrasës,
e vura në qendër, ca lart, mbi mezetë.

Dhe nis e kërkoj mbi të kontinentet,
me shtete, kufij, qytete, lumenj,
e sytë mjegullohen, e mendja më tretet,
në udhët e botës, në gërxhe, shkëmbenj,

nga ku, miq të dashur, më çoni urime,
për ditën e lindjes plot mall, nostalgji,
për vite të largët me mall, ëndërrime,
nga çdo vend i globit që mbaj sot në gji.

Oh! sa do të doja që t’ ju kisha afër,
e të tërë së bashku ta ngrinim dollinë,
të kërciste vallja dhe daull’ e varfër,
ta jehojë trishtueshëm, dhimbshëm, melodinë.

Për miqtë që na ikën në lulen e moshës,
me kokën e ulur, një lot për rininë,
për vajza q’ u tretën si pluhur i kohës,
për mote që shkuan e më nuk na vijnë.

Në k’ të përvjetor të ditëlindjes sime,
rri edhe mendohem në një tavolinë,
pi kohën që vate, ripërtyp kujtime,
me globin e vogël, rrah të heq mërzinë.