>
LETERSISHQIP

Për Atë Jelek

Tatëpjetë bregut kur vije,
jelekverdha veshur o,
thashë së vije tek unë,
dola moj duke qeshur o…
këngë labe

Kur më zbrisje bregut,
valvitje jelekun,
e unë bëja gati,
çiften dhe dyfekun.

Çiften dhe dyfekun,
të delja për gjah,
të të zija shtegun,
aty poshtë, ndën ah.

Të delja për gjah,
tutje në livadhe,
të të ngrëja pritën,
e egra sorkadhe.

Të të ngrëja pritën,
aty ndën ullinj,
e të t’ i rrufitja,
fort ato dy gjinj.

Fort ato dy gjinj,
që shtrëngon jeleku,
do dal sot për gjah,
më loz tepeleku.

Më loz tepeleku,
netëve me hënë,
rri e flas me vete,
gjumi nuk më vjen.

Gjumin ma mba larg,
një vegim, një ëndërr,
ti e veshur nuse,
unë pranë teje, dhëndër.

Unë pranë teje, dhëndër,
me çiften në dorë,
të na ndrronte prifti,
unazë e kurorë.

***
Ah, moj lozonjare,
ç’ ma ndërrove shtegun,
ma mërzite çiften,
ma çbraze dyfekun.

Por unë do dal prapë,
me çifte e zagar,
pritën të ta ngrë,
më tej në ugar.

Veç po të bëj be:
Mos më thënçin “greku”,
po s’ t’ i shqeva komçat,
e atij jeleku!