>
BIOSHQIP

Arsim Bunjaku Flet Për Këngën E Tij Të Re “Si Në Tjetër Univers”

12-06-2014
Jemi mësuar ta shohim emrin e tij nëpër tekste e muzikë vetëm për këngëtarët tjerë, e pas shumë viteve ai ka vendosur të bëjë këngë për vete. Është ky kantautori Arsim Bunjaku, i cili në një intervistë ka shpalosur detajet e këtij projekti, ndërsa ka treguar edhe për planet më tutje

Ai është një ndër kantautorët më të kërkuar në vendin tonë. Bëhet fjalë për Arsim Bunjakun i cili këto ditë na u paraqit ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim. Ndonëse emri i tij ishte i pashmangshëm në shumë projekte të këngëtarëve tanë, kësaj radhe Bunjakun e shohim edhe si këngëtar. Ndërkaq për këtë projekt vetë ai në një bisedë për gazetën Tribuna ka treguar më shumë.

“Duke punuar gjithmonë për të tjerët, janë disa këngë të cilat nuk dëshiron askujt të ia japësh dhe i mban për vete dhe për këtë këngë mendova që ta punoj deri në fund për vete me videoklip. Tekstin dhe muzikën e kam bërë vet, kurse orkestrimin e ka bërë Florent Boshnjaku. Produksioni muzikore ‘EMF Creative’ e ka bërë videoklipin, e kënga titullohet ‘Si në tjetër univers”, ka thënë në fillim të bisedës Bunjaku, duke shtuar , “Përndryshe unë kam pasur një album menjëherë pas luftës e kam lansuar, mirëpo e dimë si kanë qenë kushtet atëherë kështu që më vonë unë kam hyrë vetëm në fushën e shkrimit dhe bërjes së muzikës”.

E sa i përket projektit të fundit, Arsimi ka thënë se shpreson që kjo këngë të pëlqehet nga publiku, pasi që sipas tij i përmbush të gjitha vlerat artistike. “Po mendoj që do të jetë një këngë që do të pëlqehet, është një këngë pak ma ndryshe se tjerat besoj që i vyen kulturës së muzikës sonë një këngë e tillë, jo vetëm pse është kënga e ime, por po besoj që i përmbush vlerat artistike nuk është se po synoj me këtë të bëhem këngëtar, por thjeshtë kur posedon një zë një talent, atëherë pse mos t’i shfrytëzoj këto dhunti”, është shprehur kantautori”.

‘Disa këngëtarë nuk e din se çka dëshirojnë’

E kjo këngë nuk është projekti i vetëm i kantautorit pasi që ai po punon edhe për këngë të tjera dhe jo vetëm. “Do ti bëjë 8 këngë dhe në fund do të bëjë albumin. Por nuk i dihet koha se kur do të dalë albumi”.

E meqë tash e sa vjet punon me këngëtarë, ai ka thënë që interesimi i tyre ende vazhdon të jetë i madh, ndërsa tregon se me disa nga ata është edhe mik i mirë. “Kanë interesim këngëtarët të bëjnë këngë te unë, ka disa prej këngëtarëve me të cilën kam bashkëpunim më shumë, me ata që punoj një kohë të gjatë jam më i afërt, me disa kam raporte vetëm këngëtarë dhe autor”, ka thënë Arsimi.

Ndërkaq të kesh punë më shumë lloj këngëtarësh nuk është aspak e lehtë e për ketë Bunjaku është shprehur duke thënë, “Ka aso lloj këngëtarë që nuk e din as vet se çka dëshirojnë pra gjithmonë ka problem me këngëtarë kësisoj, kur unë them diçka ata thjesht hezitojnë, zakonisht këta këngëtarë nuk mbërrijnë kurrë askund, janë njerëz kompleksiv, janë njerëz që nuk e dinë çfarë stili po dëshirojnë çfarë gjuhe të përdoret në tekst e këto janë goxha të mundimshme”.

E sa i përket bashkëpunimeve Arsimi ka pasur një këngë me Diellza Kolgecin para 13 viteve në një festival, kurse tani ka thënë që do të punojë në këngë, “Unë kam kënduar një këngë më Diellza Kolgecin, në festivalin ‘Polifest’ në vitin 2001 ka qenë një këngë shumë e mirë kështu që prej asaj kohe më duete nuk kam bërë. Nuk po them që nuk do të bëj në të ardhmen, njëherë po dua të vazhdoj me këngë solo” , ka thënë në fund të bisedës Binjaku.
(Arbnora Xani)

Arsim Bunjaku Flet Për Këngën E Tij Të Re “Si Në Tjetër Univers”