>
BIOSHQIP

Artan Kola: “Muzika është Ushqim I Shpirtit”

23-10-2016
Thuhet se vdes ngadalë, kush nuk dëgjon muzikë! Dhe në realitet ashtu është, veçanërisht kur ke artistë si Artan Kola, i cili i jep shpirt këngës. Ai është një këngëtar i njohur dhe shumë i dashur për ne, e kjo falë talentit dhe mirësisë që ka. Na vjen në këtë intervistë për të na rrëfyer diçka nga jeta e karriera e tij!...

Teksteshqip: Po e nisim intervistën në mënyrën më klasike: Kur keni lindur dhe ku?

Artan Kola: Kam lindur në shekullin e kaluar, në Tiranë!...

Teksteshqip: Ç’ përshtypje ruani nga fëmijëria juaj ?

Artan Kola: Unë fëmijërinë e kam kaluar në kohën e diktaturës komuniste, por që ka qenë një fëmijëri e mirë dhe e qetë, pa djallëzira. Ishim shokë e shoqe, si me qenë një familje e madhe.

Teksteshqip: Kishit ndonjë model kur nisët karrierën ?

Artan Kola: Karriera ime ka filluar herët, që në moshën tetë vjeçare. I kam adhuruar festivalet e fëmijëve, në të cilët mora pjesë në Tiranë e Shkodër.

Teksteshqip: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj?

Artan Kola: Bashkëpunëtorët e mi janë të shumtë, si kompozitorët: Dorian Gjoni, Edmond Zhulali, Alfred Sula, tekstshkruesit: Arsim Bunjaku, Sokol Marsi, apo Ilir Hoxha. Njëkohësisht bashkëpunoj me koleget: Fatmira Breçani, Nazife Bunjaku, Anila Nimani, etj.

Teksteshqip: Cila është kënga juaj më e dashur?

Artan Kola: "Bjeri gajdes" ka qenë kënga hit. Në momentin që unë e përpunova, pati shumë sukses!



Teksteshqip: Po të mos ju kishte vazhduar karriera normalisht, ku do ju gjenim sot?

Artan Kola: Nuk e di! Unë mendoj vetëm për atë që bëj. Nuk jam i aftë të parashikoj se çdo bëhet!

Teksteshqip: Si lindën bashkëpunimet me Nazife Bunjakun?

Artan Kola: Ishte ndërtuar kënga dhe unë gjithmonë kur krijoj diçka mendoj, pastaj për partneren që i shkon kënga. I thashë dhe ajo u tregua e gatshme, pasi i pëlqeu shumë dhe kështu vazhduam.

Teksteshqip: Si e shpjegoni faktin që në vlerat artistike janë bërë shumë “goditje” ?

Artan Kola: Nuk e di ç'të them! Për mua e rëndësishme është të pëlqehem nga dëgjuesit dhe të shtoj sa më shumë adhurues të këngës time. Muzika është ushqim i shpirtit dhe mundohem të jem sa më afër popullit.

Teksteshqip: Me ç'projekte mendoni t'i befasoni fansat?

Artan Kola: Kënga e radhës është një baladë, prapë bashkëpunim. Pastaj, janë dhe dy të tjera, por për momentin ndodhem në Nju Jork, ku jam në një turne për Festën e Flamurit, Vitin e Ri, etj. Kur të kthehem, do i mbaroj këngët e tjera.

Teksteshqip: Në fund të kësaj bisede, çfarë do kishit shtuar?

Artan Kola: Desha të falenderoj shumë për intervistën portalin "Teksteshqip" dhe të gjithë adhuruesit e këngës time. Suksese...
(Arsim Kolari - TeksteShqip.com)

Artan Kola: “Muzika është Ushqim I Shpirtit”