Më mbaj mend (për 1 muaj)

Artiola Toska: Nuk Ndjehem E Rrezikuar Nga Konkurrenca

Nuk ka akoma asnjë votë

[15-09-2013]
Artiola Toska një zë që frymon shqip, një zë që tërheqë çdo vesh dëgjuesi. Njëra nga këngëtaret që më vite po kultivon këngën e pastër shqipe, mbase edhe albumi i sapo plasuar përmban këngë të përzgjedhura të cilat thotë se i ka krijuar sipas stilit të saj.

“Kongët që burojnë nga shpirti”, quhet albumi për të cilën Artiola ndjehet e lumtur duke potencuar se është njëri nga albumet më të dashura të saj prandaj edhe e ka emëruar me këtë emër.

Artiola është e lidhur aq shumë me këngën saqë nuk lë hapësirë për tu marrë edhe me ndonjë profesion tjetër. Për më shumë rreth punës dhe planeve flet vet ajo për “Zëri”.

Sapo keni plasuar albumin e ri, pak fjalë për këtë projekt?

Kohëve të fundit kam nxjerrë në treg një album që mbanë titullin “Kongët që burojnë nga shpirti”, në fakt mund të them që me shumë të drejtë do ta quaja album për qejfin tim (qesh).

E them këtë sepse janë në të disa nga këngët që mua më kanë pëlqyer që në moshë të vogël, në fakt ka vetëm dy këngë të reja, njëra i kushtohet të paharrueshmes Hafsa Zyberi dhe tjetra është një krijim i ri i imi por kryesisht ka këngë popullore qytetare.

Cilën nga këngët e albumit do ta veçonit më shumë?

Ky album përmban katër kolazhe me nga tetëmbëdhjetë këngë të kompozuara nga Muharrem Gurra, Isuf Myzyri, Edi Balili. Kam pasur dëshirë gjithmonë të bëja një album të tillë ku të kishte vetëm këngë qytetare dhe të them të drejtën asnjërën këngë nuk mund ta ndajë nga njëra tjetra, të gjitha janë të njëjta dhe më flejnë njësoj në shpirt. Ky është albumi im i shtatë.

Me cilat veçori do ta përmbledhje këtë projekt?

E di që nuk bën bumin e menjëhershëm, por për mua sidomos në këtë rast kishte rëndësi që të bëja diçka që të ngelet në treg dhe ta ketë çdo shqiptar në makinë ose në shtëpi dhe të jetë e pavdekshme. Këtë album kështu e kam konceptuar. Orkestrimet janë bërë nga një orkestrues i ri dhe i talentuar Sajmir Sula, i cili ka bërë një punë shumë të mirë dhe goxha të lodhshme.

Keni planifikuar ndonjë videoklip?

Klipe nuk mund të bëja pasi ato janë kolazhe me nga 15 minuta secila, por po mendoj diçka tjetër të cilat do t’i prezantoj në TV ndoshta së shpejti. Të drejtën për këtë album si përherë e ka shtëpia diskografike “Super Sonic”.

Sa e keni vështirë për të gjetur sponzor dhe a keni pasur një të tillë në këtë projekt?

Padyshim se mjaftë vështirë është për të gjetur sponzor, por fatmirësisht në këtë projekt ka qenë sponzor “Vila Goldi Z” Refik Halili i cili është i pasionuar pas muzikës qytetare dhe mik i të gjithë artistëve të talentuar.

Çfarë mendoni për çmimet e këngëve dhe klipeve që po sillen në treg?

Për sa i përket çmimeve të studiove janë goxha të larta duke u nisur që nuk ka asnjë fitim monetar.

Jeni ndjerë ndonjëherë e rrezikuar nga konkurrenca?

Nga konkurrenca nuk e ndjej veten fare të rrezikuar pasi hyj në grupin e këngëtarëve që e kanë vënë emrin shumë vite përpara dhe vazhdoj fatmirësisht që të kem akoma një agjendë intensive me koncerte, mbrëmje e dasma në të gjithë botën.

Me se merresh jashtë këngës?

Kënga në fakt nuk më lë hapësirë që të merrem dhe me diçka tjetër pasi unë udhëtoj fundjavave dhe ditët që i kam të lira ia kushtoj total bashkëshortit dhe familjarëve.

Cili është projekti i radhës?

Tani kam në plan të bëj një këngë për Vitin e Ri të cilën jam akoma në proces krijimi. Dhe do kisha pasur dëshirë ta mbyllë këtë intervistë duke të falënderuar me një citat nga Jorgo Papingji miku im më i mirë. ‘Në këtë jetë sa vijmë e shkojmë vetëm hedhim disa hapa puna është sa na kujtojnë dhe çfarë emri lëmë nga mbrapa.
 (Kastriote Bajrami (Zëri))



Komente 0