>
BIOSHQIP

(1928-2000)

Biografia
Në mesin e rapsodëve emblematikë të kombit tonë, emri i Hazis Ndreut qëndron në radhët e të parëve me Tom Nikollën, Dervish Shaqën, Frrok Haxhinë, Sali Manin, Feride Kurtin, Fatime Sokolin, Dava Gjergjin, Drane Gegën e shumë të tjerë.

Hazis Ndreu kishte origjinë prej një familje me tradita të rezistencës kombëtare, por edhe me traditë në këndimin e këngëve të trimërisë. Në sajë të angazhimit dhe talentit që kishte derdhur në këndimin e këngëve dhe interpretimin e shkëlqyer me çifteli, Hazis Ndreu ishte shpallur “Artist i merituar”. Në moshë të re u angazhua si këngëtar popullor në Shtëpinë e Kulturës, në Peshkopi. Ka qenë i afirmuar si këngëtar popullor në nivel kombëtar. Ka marrë pjesë në Festivalin e këngës, muzikës dhe valles në Tiranë më 25-27 nëntor të vitit 1959, ku vlerësohet me çmimin e lartë “Rapsod popullor”. Pas kësaj, merr pjesë rregullisht në të gjitha festivalet folklorike të Gjirokastrës dhe në Festivalin e këngës popullore të Beratit, në vitin 1995.

Këngët e rapsodit dibran, Hazis Ndreu janë të veçanta në shumë segmente krijuese dhe interpretuese. Për dallim nga rapsodët e tjerë që kanë krijuar e kënduar dhjetra e qindra këngë, albumi i këngëve të tij duket modest, por origjininaliteti i këngës së tij është tej mase i veçantë, qoftë me zërin burrëror, të lindur apo të trashëguar, qoftë me përzgjedhjen e këngëve, meqë ai ka kënduar vetëm këngë historike dhe këngë trimërie, qoftë me melodinë dhe kompozimin e shquar artistik, qoftë me mënyrën arkaike të të kënduarit, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve.

Hazis Ndreu nuk ka kënduar shumë këngë, por të gjitha këngët e tij janë antologjike, të gjitha këngët e tij janë këngë të krenarisë kombëtare, këngë që kurrë nuk harrohen, kurrë nuk vjetërohen. Sapo ta dëgjosh këngën e Hajredin Pashës, pavarësisht se kush e këndon dhe pavarësisht sa mundohet ta këndojë mirë e më mirë, nuk ka si të mos kujtohet origjinali, të cilit askush deri sot nuk i është afruar.
Në këtë këngë ai ka bërë bashkë zërat kushtrimtarë si uraganë të ndezur flakë të Lumës e Dibrës, zërimin mobilizues të masave të revoltuara shqiptare kundër mbretit të Turqisë, ka intonuar zërin më të fuqishëm të mundshëm të kushtrimit të furisë kryengritëse, të ndeshjeve për jetë a vdekje, zërin e ngadhënjimit çlirimtar, në anën tjetër ka segmentuar edhe zërin e qyqes, të pashait, i cili vajton fatin e zi, vajton atin e ushtarët, derisa përmes zërit të malësorëve dibranë i bëhet me dije pashait se Dibra nuk është "Selanëjk" e as "Përlep", por është një termopile e Shqipërisë, e cila u la në gjak vjet për vjet, por kurrë nuk u mposht dhe kurrë nuk u shua.
Heroizmi me të cilin e përthekon strukturën e këngës, Hazis Ndreu, pastaj forca mobilizuese me të cilën e mban gjallë nga fjala në fjalë, nga rreshti në rresht, nga strofa në strofë, krijojnë tërësinë emblemë të këngës, e cila jeton përgjithmonë, meqë edhe është krijuar për të qenë një këngë e tillë, një këngë e përjetshme që ka vulosur në kujtesën e kombit vetëm njërën prej 400 betejave të Shqipërisë kundër Perandorisë më të madhe të botës, kundër Perandorisë osmane.
Ritmi dhe gradacioni artistik i kësaj kënge të sjell në kujtesë hapërimin e kalorësve që shkojnë drejt vdjekjes, sjellin në kujtesë kushtrimin e mobilizimin popullor, për të mos lejuar ushtrinë pushtuese t’i shkel trojet, sa e sa herë të lara me gjakun e trimave dhe trimëreshave.
Këngëtari popullor, po me të njëjtën mënyrë këndimi qësendis edhe pashanë turk, i cili pendohet për ndërmarrjen luftarake, duke përjetuar thellë humbjen drastike e tragjike në fushë të betejës, atje ku kishte hapur varre për ushtarët e tij, atje ku ushtria e tij ishte bërë mish për korba dhe kishte mbetur nëpër llogore, në Grykë të Radikës, atje ku i kishte mbetur tërë ordia. Rapsodi nuk i qesëndis as i lëndon ushtarët e mjerë, që i kishin bërë mish për top. Ai, dhembjen për ta e shpreh përmes gojës së pashait, i cili vajton fatin e vet të zi, por edhe humbjen e qindëra ushtarëve.
Kjo këngë epike-heroike, përveç forcës mobilizuese, ka edhe një melododi mahnitëse që të rrëmben si një forcë magnetike, duke të mbërthyer në botën e heroikes dhe tragjikes, duke të sjellë në kujtesë dhembjen bashkë me krenarinë.
Hazis Ndreu me pietet të këngëtarit kushtrimtar, i ka kënduar edhe kryetrimit të Lumës e të Shqipërisë, luftëtarit të përkushtuar Elez Isufi, i cili “në malet e Lurës dhe të Korabit, fushën e mbushi me shapka të sërbit”.
Në këtë këngë historike i këndon bëmave të dy komandantëve popullorë, Elez Isufi dhe Isuf Xhelili, të cilët me malësorët dibranë e lumjanë u dolën para hordhive serbe e ruse, që po depërtonin nëpër malet e Shqipërisë, me qëllim për ta pushtuar e për ta shfarosur gjatë kohës së Luftërave Ballkanike. Edhe pse ishte një luftë krejt e pabarabartë, lumjanët e dibranët luftuan ashtu sikur spartanët dikur, meqë kishin Elez Isufin e Isuf Xhelilin.
Ka punuar me zell në fushën e historisë, ku ka dhënë kontribut të vyer në mbledhjen e të dhënave gojore e dokumentare për ngjarje të rëndësishme të luftërave popullore e figurative atdhetare me të cilat ka referuar në sesione shkencore e simpoziume brenda dhe jashtë vendit.
DËRGOI:

KATEGORI: