>
BIOSHQIP

B.B. Poqi “Së Shpejti Vjen Albumi I Ri”

11-01-2014
Rock-këngëtari i njohur Bajram Bylykbashi- Bb Poqi, ka bërë të ditur për gazetën Tribuna se së shpejti do të vijë në treg me një këngë të re të titulluar “Të gjeta ty”. Ndërsa ka treguar se i është përveshur punës që në treg të vijë edhe me albumin e tij të pestë. Ndër të tjera, rock-artisti ka shpalosur edhe qëndrimin e tij përballë bashkëpunimeve ‘trendi’...

Ndonëse ka bërë me dije që gjatë festave të fundvitit nuk ka mundur të jetë pranë publikut të vet, për shkak të problemeve të vogla shëndetësore, rok-këngëtari Bajram Bylykbashi i njohur në publik si Bb Poqi i është përveshur punës që të sjellë risi në publik.

“Të gjitha mbrëmjet që i kam pasur të aranzhuara për festat e fundvitit më është dashur t’i anuloj, sepse kam qenë rëndë i ftohur. Por tani i jam përveshur punës që të sjell një këngë të re të cilës do t’ia bashkëngjis edhe klipin”, ka thënë në fillim të bisedës Bb Poqi, ndërsa ka shtuar se kënga është e përfunduar vetëm pritet të bëhet montazhi i kripit.

“Kënga është e përfunduar. Titullohet ‘Të gjeta ty’, tani vetëm duhet të bëhet montazhi i videoklipit dhe të bëhet gati për publikim. Ma merr mendja që do ta publikoj ka muaji mars, tamam edhe koha fillon të rregullohet pak”, ka shtuar Poqi më tej.

Së shpejti vjen edhe albumi

Ndërkaq, përveç këngës së re që Poqi e premton për publikun e vet, ai ka shpalosur se së shpejti do të jetë në duart e publikut edhe albumi i tij i ri, i pesti me radhë. “Pasi që të publikohet kënga e klipi do të filloj të punoj për lansimin e albumit tim të ri i cili do të jetë i pesti me radhë”, ka nënvizuar rok këngëtari, kurse ka shtuar se bashkëpunimeve me këngëtarë në albumin e tij nuk do të ketë.

“Nuk do të ketë bashkëpunime me këngëtarë, do të ketë mysafirë rok-kitaristë të cilët janë ndër emrat më të njohur në vendin tonë, ata do të kenë pjesë solo nëpër këngë”.

E meqenëse bashkëpunimet janë në trend e sidomos në bashkëpunim me këngëtarë të zhanrit tallava, Poqi thekson se një gjë të tillë nuk do ta bëjë kurrë, pavarësisht përfitimeve që po sjellin ato në treg.

“Jo, jo aso lloj bashkëpunimesh me këngëtarë të zhanrit tallava sado në trend të jenë, unë nuk do t'i bëj kurrë. Pavarësisht fitimit e çfarëdo rrethane tjetër. Ka kush merret me atë. Unë nuk do ta bëj kurrë”, ka thënë Bylykbashi, duke shpalosur për fund se edhe me zhanrin që ai bën, mbrëmjet muzikore nuk mungojnë.

“Me mbrëmje muzikore qëndroj shumë mirë, performoj para atyre që e duan muzikën rok, tash do të shkoj në Shkup, pastaj në Ferizaj e kështu kudo që ka shqiptarë”, ka thënë për fund rok-artisti.
(Nita Brisku)

B.B. Poqi “Së Shpejti Vjen Albumi I Ri”