>
BIOSHQIP

Baboo Darabuka, Kontratë Me Nokia

25-12-2013
Nuk janë vetëm angazhimet artistike rreth krijimeve të reja, në të cilat djemtë e grupit ‘Baboo Darabuka’ janë fokusuar. Ata tashmë kanë arritur marrëveshje edhe me kompaninë e telefonave ‘Nokia’ të cilës ia kanë shitur një instrumental. Këtë e ka bërë të ditur Alban Sejdiu anëtarë i grupit, ndërsa përveç kësaj arritje ai ka treguar për Tribuna edhe problemet e hasura në mbrojtjen e të drejtave autoriale.

Në mesin e shumë artistëve të njohur të skenës sonë, edhe grupi i njohur muzikor ‘Baboo Darabuka’ kanë hasur në pakënaqësi me kanalet muzikore që merren me promovimin artistik të këngëtarëve dhe mbrojtjen e të drejtave autoriale të tyre. Këtë fakt e ka bërë të ditur për gazetën Tribuna Alban Sejdiu pjesëtari i grupit, ndërsa ka theksuar për angazhimin e tyre për mbrojtjen e të drejtave të tyre autoriale, të cilat thonë se u janë shkelur.

“Janë disa kanale në ‘Youtube’ të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të autorit, mbrojnë videot të mos keqpërdoren nga kanalet tjera. Por ne nuk kemi qenë të kënaqur me kompaninë me të cilën kemi qenë, pasi që marrëveshja jonë ka qenë të mbrohen videot tona e nuk ka ndodhur ashtu. Ajo është kompania ‘OnAir’”, ka thënë Albani në fillim të bisedës, duke shtuar se tani kanë marrëveshje me një kompani tjetër. “E tani e kemi ndërruar komplet atë kompani dhe kemi bërë marrëveshje me një kompani tjetër. Ajo është ‘Prominent’. Është një kompani më serioze për momentin, nëse nuk i bie pishman edhe kjo. Por për momentin jemi shumë të kënaqur”.

‘Nokia’ na gjeti përmes ‘Youtube’

Por pavarësisht pakënaqësisë që kanë hasur në këtë aspekt, grupi i njohur ‘Baboo Darabuka’, nuk mund të ankohen sa i përket arritjeve të tyre në skenë. Sipas burimeve të gazetës Tribuna, grupi i mirënjohur kanë arritur një marrëveshje me kompaninë e njohur botërore ‘Nokia’, për çfarë, pas pyetjes sonë, për këtë marrëveshje ka pohuar edhe Albani. “Po kemi bërë marrëveshje me kompaninë Nokia. Një instrumental i joni i është dhënë kompanisë ‘Nokia’.

Instrumentalit tonë i është realizuar një klip për reklamë e cila do të publikohet në Amerikën Latine apo Afrikën e Jugut në mos gaboj, sepse ata e kishin të ndarë me territore të caktuara kah ka drejtë të lansohet instrumentali. Është një tridhjetë sekondash i instrumentalit tonë. Marrëveshjen e kemi bërë dhe neve normal që na ka konvenuar”, ka treguar Sejdiu, duke shpalosur se si kanë arritur deri tek kjo marrëveshje. “Ata na kanë kërkuar neve. I ka pëlqyer instrumentali jonë e kanë dëgjuar në ‘Youtube’ dhe përmes asaj kanë gjetur kontaktet dhe u bë marrëveshja”. Ndërsa sa i përket shumës të cilën ata e kanë fituar nga ‘Nokia’ për instrumentalin e tyre, Albani shkurt ka thënë. “Pagesa ka qenë e arsyeshme”, duke mos dashur të tregoj më shumë për shifrën e fituar.

Të kënaqur me sukseset nga viti 2013

E përveç kësaj risie grupi nuk po rrinë duarkryq edhe sa i përket projekteve të reja të cilat do t’i sjellin në treg. “Shumë shpejt gjatë javës do ta publikojmë edhe një bashkëpunim tjetër me Astrit Stafën. Ndërsa për vitin e ardhshëm jemi duke përgatitur edhe dy bashkëpunime tjera. Por nuk do të doja t’i bëj publike emrat e këngëtarëve për shkak se ende jemi në proces të punës. Ndërkohë jemi duke punuar edhe që në verë të publikojmë albumin me të gjitha instrumentalet tona të reja. Vlen të ceket që shumë shpejt do të kemi disa bashkëpunime me emra shumë të mëdhenj të skenës sonë”, ka thënë Albani, ndërsa nuk ka lënë pa i përmendur edhe arritjet e këtij viti të cilat sipas tij kanë qenë të mëdha.

“Edhe ky vit si vitet tjera ka qenë shumë i suksesshëm. Kemi pasur angazhime të shumta si në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, në mbarë diasporën dhe jemi pritur shumë mirë vërtet. Kemi që tani termin të caktuara edhe për vitin e ardhshëm. Ne i kemi lansuar dy instrumentale të reja. Pastaj kemi bërë tani së fundmi një bashkëpunim me këngëtarin e mirënjohur Sabri Fejzullahu dhe këngëtaren Vjollca Haxhiu, një projekt që jo shumë kohë më parë është lansu dhe po pritet shumë mirë në publik”.
(Nita Brisku)

Baboo Darabuka, Kontratë Me Nokia